Festimi i heshtur i Pavarësisë

Komuna e Prishtinës ka bërë të gjitha përgatitjet për përvjetorin e pavarësisë të Republikës së Kosovës. Ndërsa për dekorimin e sheshit të qytetit, Zëdhënësi i Komunës Adonis Tahiri thotë se është përgjegjësi e Qeverisë.

Lajme

13/02/2014 06:27

Një shetitje nëpër sheshin kryesor të Prishtinës nuk të jep përshtypjen se vendi është në vigjilie të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë, por zyrtarë të Komunës së Prishtinës thonë se gjithçka është gati që festa të fillojë.

 

Zëdhënësi  i Komunës , Adonis Tahiri ka thënë  për lajmi.net se do të ketë organizim të aktivitete të ndryshme për datën 17 shkurt, duke e bërë të ditur programin që do ta karakterizojë kryeqytetin gjatë gjithë ditës.

Sipas tij, gjatë ditës së hënë, do të zhvillohen aktivitete për fëmijë nga institucionet fillore dhe ato para shkollore, ndërsa si aktivitet kryesor e përmend koncertin që do të zhvillohet në sheshin qendror në mbrëmje, ku do të performojnë grupe dhe solist të ndryshëm.

“Komuna e Prishtinës ka organizuar aktivitete për datën 17 shkurt. Gjatë ditës do të ketë aktivitete për fëmijë dhe të rinj ku do të performojnë balerinat nga institucionet para shkollore”.

“Gjithashtu edhe nga shkollat fillore do të ketë grupe të ndryshme që do të performojnë dhe grupe folklorike të fëmijëve sigurisht. Gjatë mbrëmjes do të jetë aktiviteti qendror, koncerti në sheshin kryesor të qytetit ku do të ketë grupe dhe solist nga zhanret e ndryshme”.

\"Foto:

 

Pavarësisht se po afrohet data e përvjetorit të pavarësisë, sheshi qendror vazhdon të mbetët i pa dekoruar.

Por Komuna e Prishtinës e heq përgjegjësinë nga vetja. Zëdhënësi Tahiri thotë se kjo është kompetencë e Qeverisë duke thënë se nuk është kompetencë e Komunës.

“Për datën 17 shkurt organizimin kryesor e ka Qeveria e Kosovës. Ne kemi organizimi vetëm në atë datë as para 17 shkurtit as pas. Kështu që, për të gjitha dekorimet dhe çështjet tjera mbase do të kujdeset Qeveria e Republikës së Kosovës”.

\"Foto:

 

Për përvjetorin e pavarësisë  edhe qytetarët kanë bërë planet e tyre.  Arif Sefaj qytetar nga Prishtina, thotë se 17 shkurtin do ta festojë në Kryeqytet.

“Pavarësia e Kosovës është ditë e madhe, është ditë e shenjët. Ky popull e ka merituar edhe më herët këtë gëzim të madh që e kemi dhe do ta kemi. Urime pavarësia shqiptar kudo që jeni. Do ta presim në atë mënyrë si është e paraparë me organizime. Sigurisht do të jetë madhështore një pritje e tillë”.

Isak Berisha një qytetar tjetër shprehet i zhgënjyer me punën e institucioneve të Kosovës, gjashtë vjet pas pavarësisë.

\"Foto:

 

“Ne jemi shteti pavarur por, sovran nuk jemi. Për të qenë sovran Kryeministri duhet t`i kontrollojë kufijtë me ushtri dhe polici. Ai duhet të përmirësojë gjendjen në Arsim, në Shëndetësi në Kulturë. Unë jam mërdhirë këtu kur është shpallur Pavarësia, këtu kam qenë ftohët i madh”.

Megjithatë 17 shkurtin dikush ka vendosur të festojë më ndryshe.   Hamit Ibrahimi nga Komuna e Kastriotit thotë se do të vizitojë Prekazin.

“Rregullisht për pavarësi shkojmë në Prekaz dhe për ditën e flamurit shkojmë atje. I bëj vizitë familjes së të ndjerit Adem Jashari. Prekazi ka bërë përparime, por kontributin që e kanë dhënë, me ari të shtrohet është  pak”.