Festa i bashkon në Pejë

Një pjesë të Ditës së 28 Nëntorit, Kryeministri Hashim Thaçi e ka kaluar në Dukagjin. Bashkë me Ali Berishën e AAK'së, ai ka bërë homazhe në Pejë. Kështu, duket se edhe e ka përçuar mesazhin te elektorati i PDK'së në Pejë për të votuar me 1 dhjetor.

Lajme

28/11/2013 11:07

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me Ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj dhe Kryetarin e Degës së PDK’së në Pejë, Xhavit Haliti, është zhvendosur në Dukagjin në Ditën e Flamurit.

Në mëngjesin e së enjtes, Thaçi ka bërë homazhe te busti i heroit Shkëlzen Haradinaj, në sheshin që mban të njëjtin emër në qendër të Pejës.

Ai ka qenë i shoqëruar edhe nga Kryetari i Pejës, Ali Berisha, i cili më 1 dhjetor do të kërkojë votën e pejanëve për një mandat të tretë në krye të kësaj komune.

Bashkimi i Thaçit dhe ekipit të tij në homazhe me Berishën është bërë pasi AAK dhe PDK kanë arritur një marrëveshje për koalicion në këtë komunë.

Kësisoji, Thaçi duket se edhe ka dashur t’i përçojë mesazhin elektoratit të PDK’së në Pejë që ta votojnë Ali Berishën në balotazhin kundër Gazmend Muhaxherit të LDK’së.

Pas homazheve, ekipet e Thaçit dhe Berishës kanë shijuar kafenë në Pejë. Aty është parë edhe deputeti i AAK’së në Kuvendin e Kosovës, biznesmeni pejan Ramiz Kelmendi.