Festa e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës – gjithçka që ndodhi dhe u tha sot

Festa e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës sot ka qenë në fokusin e të gjithëve, sidomos pas vizitave të ish-liderëve amerikanë, presidentit Bill Clinton dhe sekretares së shtetit Madeleine Albright.

Lajme

12/06/2019 20:32

Dita nisi me takimet e liderëve të vendit me sekretaren e shtetit, Albright.

Kryeparlamentari Veseli e priti në takim sekretaren amerikane të cilën e falënderoi për gjithçka që SHBA-të kanë bërë për lirinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës, duke theksuar se Kosova ka arritur lirinë dhe sot është shtet i pavarur falë mbështetjes së SHBA-ve.

“Faleminderit shumë për pritjen zotëri kryetar. Unë po ndihem sikur në shtëpinë time”, tha Albright në takim me kryeparlamentarin Veseli.

Lexo edhe: Veseli pret sekretaren Albright – e falënderon për gjithçka që ka bërë për Kosovë

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë takimin me sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright e ka dekoruar atë me medaljen presidenciale ‘Urdhri i Lirisë’.

Thaçi i uroi mirëseardhje në shtëpi sekretares Albright, duke e falënderuar për kontributin e jashtëzakonshëm të saj për lirinë e Kosovës.

Ndërkohë, Albright është shprehur krenare që kanë bërë të ndodh kjo gjë. Ajo tha se nuk do t’i harrojë asnjëherë falënderimet e Kosovës.

Lexo edhe: Thaçi e dekoron Albright me ‘Urdhrin e Lirisë’, ajo thotë se është krenare me popullin e Kosovës

Thaçi e priti në takim edhe gjeneralin Wesley Clark të cilin e falënderoi për lidershipin e guximshëm dhe vendimtar, që bëri Millosheviqin të largohej nga Kosova.

Në anën tjetër, ish-komandanti i NATO-s, gjenerali Clark është shprehur falënderues për nderimin që i ka bërë Kosova. Ai tha se është mrekulli të shohësh 20 vite pas tragjedisë vendin në liri, shkruan lajmi.net.

“E di se e ardhmja do jetë e ndritshme, sepse kosovarët kanë guxim të marrin vendime. Ne do të punojmë me ju siç kemi bërë në të kaluarën, do vazhdojmë edhe në të ardhmen që Kosova të bëhet pjesë e BE-së, e meriton”, ka thënë Clark.

Lexo edhe: Gjenerali amerikan: Kosova e meriton të jetë pjesë e BE-së, SHBA ju përkrah  

Pas përfundimit të këtyre takimeve, festa vazhdoi në sheshin e Prishtinës.

Presidenti Thaçi gjatë fjalimit të tij tha se 12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si popull, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe Perëndimit”

Kreu i shtetit ka thënë se ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të, Bota e Qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veriatlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm, shkruan lajmi.net.

“Ne mburremi që jemi sot populli më proamerikan, më properëndimor dhe më proevropian në këto anë të botës”, ka thënë ai, duke theksuar se liria e Kosovës është vlerë e përbashkët e të gjithë neve këtu.

Lexo edhe: Presidenti Thaçi në Ditëlindjen e Lirisë: Kosova është mburrja dhe krenaria jonë

Pas presidentit të Kosovës, fjalën e mori ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ai është shprehur krenar që ka kontribuuar në çlirimin e Kosovës dhe kundër spastrimit etnik.

Clinton, duke shprehur falënderime për pritjen dhe nderimin që iu është bërë në Kosovë, ka përkujtuar gëzimin e kosovarëve në vitin 1999 pas intervenimit të NATO-s.

“Më kujtohen fytyrat e qytetarëve kur isha këtu para 20 viteve, atë ditë thash 79 ditë të bombardimeve e kanë fituar këtë luftë por vetëm qytetarët e Kosovës mund ta fitojnë paqen. Pas 20 vitesh mendoj se ju keni arritë të fitoni paqen. E di që gjëja më e rëndësishme është ajo të dimë se çfarë duhet të bëjmë. 30 vite më parë kur ra muri i Berlinit, shumë menduan se do jetë një kohë e mirë dhe gjitha vendet do të pajtohen, mirëpo nuk ndodhi ashtu”, ka thënë Clinton, shkruan lajmi.net.

Lexo edhe: Fjalim emocionues i presidentit Clinton, kujton gëzimin e kosovarëve të para 20 viteve

Pas Clinton, kryeparlamentari Veseli në fjalën e tij është shprehur i gëzuar që sot Kosova feston përvjetorin e 20-të të çlirimit në praninë e miqve të saj.

“Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Një popull të tërë nga gjenocidi. Dhe, mbi të gjitha, i dhatë kuptim vlerave njerëzore, për të treguar se askush, asnjëherë, nuk do të shtypet, nëpërkëmbet dhe rrezikohet vetëm pse tjetri mund ta bëjë këtë dhe është më i fortë. Garant i këtij humanizmi qëndron gjithmonë vendi i lirisë dhe demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.

Lexo edhe: Veseli: Kosova do të jetë gjithmonë, kudo dhe kurdo me SHBA-të

I pranishëm për të festuar ditën e çlirimit në Kosovë ishte edhe Zëvendës-ndihmësi i sekretarit të Shtetit të Amerikës, Matthew Palmer.

Palmer në fjalimin e tij ka kërkuar që të arrihet marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se vendimi i NATO-s ishte vendim i drejtë.

“Sot po shënjojmë 20 vjetorin e mbylljes së operacionit të forcave të NATO-s dhe KFOR-it. Ne e njohim me respekt sakrificat e NATO-s që kanë bërë. NATO-ja ka intervenuar pas të gjitha shtrembërimeve dhe përpjekjeve diplomatike dhe ai intervenim ka qenë shansi i fundit për të gjunjëzuar regjimin e Millosheviqit dhe për të ndaluar shkatërrimet në këtë vend.  Rrethanat në vitin 1999 kanë kërkuar qëllimin që të shmangim një katastrofë të madhe”, ka deklaruar Palmer, raporton lajmi.net.

Palmer në fjalimin e tij, ka ripërsëritur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë çdo herë pranë Kosovës dhe se qytetarët e Kosovës kanë treguar se janë partner i mirë i SHBA-ve.

“Qytetarët e Kosovës kanë demonstruar se mund të jenë një partner i besueshëm i komunitetit ndërkombëtar. Përkrahja e SHBA-ve për këtë shtet e shton këtë rrugëtim dhe këtë përkrahje për arritjen e demokracisë”, theksoi Palmer.

Lexo edhe: Palmer kërkon paqe me Serbinë në 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës

Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj në fjalën e tij para të pranishmëve me rastin e ceremonisë të 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të pajtohet me shtetin Serb, shtet ky i cili para dy dekadave kreu gjenocid në Kosovë.

Haradinaj u shpreh se paqen e bëjnë të guximshmit, andaj Kosova sipas tij ka guxim që të pajtohet me Serbinë.

Kryeministri i vendit i ka bërë thirrje Serbisë dhe Vuçiqit  që ta njohin Kosovën në kufijtë aktual dhe të drejtën e saj për të qeverisur, shkruan lajmi.net.

“Paqen e bëjnë të guximshmit, e ne guxojmë me u pajtua me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe Vuçiqit që ta njeh Kosovën në kufijtë aktual. Në mënyrë që ne të qeverisim, të punojmë më shumë, në luftimin e korrupsionit, forcimin e vendit dhe ligjit në vendin tonë”, ka thënë Haradinaj para të pranishmëve.

Lexo edhe: Haradinaj në 20-vjetorin e çlirimit i bën thirrje Serbisë që ta njohë Kosovën

Sot në sheshin “Madeline Albright”, është zbuluar edhe busti i ish-Sekretares së Shtetit.

Pas zbulimit të këtij busti, ish-Sekretarja e Shtetit, Madeline Albright, u shpreh edhe një herë falënderuese për Kosovën dhe për popullin kosovarë për dashurinë dhe respektin që i kanë dhënë asaj

Ajo gjatë zbulimit të bustit të saj në Prishtinë, me shaka e falënderoi autorin që e ka bërë kaq të madhe.

“Dua të ju falënderoj të gjithëve. Dua të falënderoj atë që më ka bërë kaq të gjatë. Ne ishim në gjendje të sjellim paqe në Kosovë”, deklaroi Albright.

Lexo edhe: Albright: Ky shtet dhe ky bust kanë shumë rëndësi për mua

Në bulevardin “Bill Clinton” është zbuluar pllaka e ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton.

“Kjo është dhuratë shumë e çmuar për mua. Faleminderit për këtë pllakë që e keni vendosur këtu, sepse dëshiroj që çdo qytetarë i Kosovës ta dijë se kjo do të thotë shumë për mua. Dhe jo vetëm për atë që kam bërë për fëmijët e tyre, për veten, por për atë që kam bërë për tërë Evropën”, ka thënë ai, shkruan lajmi.net.

Ai me këtë rast ka pasur edhe një porosi për Kosovën.

“Mund ta shfrytëzoj këtë rast të them që, nëse njerëzit janë të lirë gjithandej, të ndërtojnë jetët e tyre në mënyrën më të mirë që munden. Jo të brengosen se ku kanë lindur, se çfarë përkatësie etnike kanë, nëse janë gra ose burra – çfarëdo ndasie mes qenieve njerëzore do të injorohet përderisa jeni njerëz të mirë. Nëse i bindeni ligjit, nëse punoni shumë, do të mundet urrejtja përmes dashurisë. Kjo është porosia për Kosovën”, ka thënë Clinton.

Lexo edhe: Zbulohet pllaka, Clinton: Kjo është dhuratë shumë e çmuar për mua

/Lajmi.net/ 

Në videon e mëposhtme mund të shihni një përmbledhje të ngjarjeve të sotme të festimit të 20 vjetorit të çlirimit:

YouTube player