Fermerët kërkojnë sigurimin e kulturave bujqësore

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili të hënën ka takuar komunitetin e biznesit në Vushtrri, ka siguruar se Qeveria e Kosovës do t’i trajtojë me kujdes të gjitha kërkesat e fermerëve, duke përfshirë edhe ato të ndërtimtarëve dhe të prodhuesve vushtrrias.

Lajme

17/07/2019 08:20

Zona Ekonomike në Lumëmadh, projekti më i madh në përkrahje të ndërmarrësve, shkruan ‘Zëri’.

Komuniteti i biznesit në Vushtrri, respektivisht fermerët vushtrrias kanë dalë me kërkesa të qarta për Qeverinë e Kosovë, gjatë një takimi që ata kanë pasur me kryeministrin e vendit Ramush Haradinajn, i cili ka premtuar se të gjitha kërkesat e tyre do të trajtohen me kujdesin më të madh.

Mbështetje të sektorit të bujqësisë në sigurimin e kulturave bujqësore, si dhe heqjen e akcizës për naftën e cila përdorët në bujqësi, kanë qenë dy kërkesat kryesore të fermerëve vushtrrias, që ia kanë bërë kryeministrit Haradinaj, në takimin që kishte me sipërmarrës dhe me fermerë vushtrrias, të hënën.

Fermerët dhe sipërmarrësit e Vushtrrisë kanë shprehur nevojën që të mbrohen prodhimet e tyre nga fatkeqësitë elementare, me kërkesën që të gjitha dëmet që pësojnë kulturat bujqësore nga përmbytjen, breshëri e dëme të tjera t’u kompensohen.