Ferizaj përmbyll vitin pas asnjë vrasje

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka prezantuar të martën të arriturat dhe punën e kësaj drejtorie gjatë këtij viti.

Lajme

29/12/2015 17:37

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë, Gazmend Hoxha, në vija të trasha ka paraqitur raportin, duke thënë se bazuar në statistikat shihet se ka një rënie të krimit në përgjithësi në masën 7.6 për qind.

Për më tepër duke u ndërlidhur me problemin e sigurisë në trafik, drejtuesit e kësaj drejtorie kanë thënë se kjo përbën një shqetësim ngase janë shënuar rritje të rasteve në komunikacion.

“Kemi pasur më shumë raste se sa një vit më herët dhe në përgjithësi kemi një rritje prej 16 për qind të aksidenteve në rajonin tonë policor”,ka nënvizuar Hoxha.

Duke folur për rastet e vrasjeve apo rasteve të rënda që kanë ndodhur në këtë regjion është thënë se gjatë këtij viti nuk është shënuar asnjë rast i vrasjeve dhe kjo sipas zyrtarëve policor shënon një sukses në këtë Drejtori.

“Prioritet do të jetë krijimi i partneritetit me qeveritë lokale , me OJQ-të dhe organizmat tjerë .Si projekte që është punuar gjatë këtij viti është projekti i vendosjes së kamerave të sigurisë në komunën e Ferizajt , i cili tashmë ka përfunduar dhe qyteti I Ferizajt tashmë monitorohet 24 orë nga kamerat”, ka shpjeguar Hoxha, teksa ka thënë se e vetmja komunë në regjion që ka mbetur pa kamera është komuna e Kaçanikut e cila besohet se brenda vitit të ardhshëm do t’i ketë.

Ndryshe, si projekte policore janë përmendur edhe pasaporta e policit , siguria në shkolla, projekti me moton “Stop migrimit ilegal”etj, ndërsa është përmendur edhe projekti i realizuar në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Ferizajt, e ku është folur në mbrojtje e rinisë nga manipulimi me fenë islame.

 

”Ky projekt do të vazhdoj në nivel të rajonit , në mënyrë që të punojmë rreth parandalimit dhe rreth asaj që quhet radikalizim apo ekstremizëm fetar ngase po shihet se një numër i qytetarëve tanë kanë qenë pre e mashtrimeve dhe kanë qenë pjesë e luftërave në Siri dhe Irak. Neve na mbetet që të punojmë më shumë ngase dëmton familjet dhe imazhin tonë si shtet”, ka thënë drejtori Hoxha/kp