Ferizaj dhe Elbasani e nisin bashkëpunimin me vizita të nxënësve

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, u pajtuan të martën që të fillojë jetësimi i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Ferizajt dhe Elbasanit.

Lajme

21/04/2015 20:30

Gjatë një vizite në Ferizaj, Minxhozi dhe Svarqa biseduan për mundësi të shumta bashkëpunimi ndërmjet komunave dhe grupeve të interesit nga Kosova e Shqipëria.

Në tetorin e vitit të kaluar, gjatë një vizite në Elbasan, kryetari Svarqa dhe kryetari i Elbasanit Qazim Sejdini, patën biseduar për ngritjen e një partneriteti ndërmjet dy qyteteve në fushën e ekonomisë, atë të arsimit, kulturës, sportit etj.

Si hap i parë i këtij partneriteti do të jetë vizita e nxënësve elbasanas, por edhe nga qytete të tjera shqiptare në Ferizaj, më 9 maj të këtij viti. Ata pritet që të shoqëruar nga nxënës ferizajas të vizitojnë ndonjë shkollë, muzeun e qytetit, fenomenin e Bifurkacionit të Nerodimes etj.

Ndërsa në perspektivën e partneritetit, pritet këmbimi i një kontingjenti nxënësish ferizajas dhe elbasanas të shkollave të mesme, për ta kaluar një vit shkollor në qytetet reciproke. Por kjo tash për tash është vetëm një ide, e cila do të diskutohet me ministritë e arsimit të të dyja vendeve, ka bërë të ditur zyra për informim e kreut të Komunës së Ferizajt. /KosovaPress/