Federata Aeronautike e Kosovës pranohet në FAI

Federata Aeronautike e Kosovës u pranua me 163 vota për dhe 3 kundër.

Sport

25/09/2015 12:17

Tashmë nuk ka dileme, Federata Aeronautike e Kosovës është pranuar me të drejta të plota në  Federatën  Aeronautike Ndërkombëtare (FAI).

Kjo u bë e ditur në sot në Roterdam të Holandës ku u mbajt Konferenca e FAI dhe ku Federata Aeronautike e Kosovës u pranua me 163 vota për dhe 3 kundër.

Kundër pranimit ishte Sebia me një votë dhe Spanja me dy vota. Derisa përfaqësuesi i Spanjës nuk e arsyetoi votën e tij kundër, ai i Serbisë tha se kjo është politikë, por shumë shpejtë iu mor fjala nga drejtuesi i konferencës.

Kështu, Federata Aeronautike e Kosovës (FAK) është bërë anëtarja më e re e Federatës Ndërkombëtare të Aeronautikës– FAI, por duhet pranuar se rruga deri te ky qëllim nuk ishte aspak e lehtë.

Për të qenë pjesë e FAI-t, Federata Aeronautike e Kosovës kishte aplikuar në muajin prill të këtij viti,ndërkohë që pas shqyrtimit të dokumentacionit nga FAI dhe pas votimit unanim të Këshillit Ekzekutiv të kësaj organizate, përgjigja pozitive kishte arritur që në muajin qershor.

Mirëpo, e gjithë kjo duhej ta merrte pëlqimin e delegatëve në Kongres dhe votimi më i rëndësishëm u bë sot në Roterdam. Aty ishte i pranishëm edhe delegacioni i FAK, në përbërje: Fadil Gerguri, Shkëlqim Krasniqi, Berat Bejtullahu dhe Ardall Celina, të cilët edhe janë më të merituarit për këtë sukses të madh të aeronautikës kosovare.

“Natyrisht se jam i lumtur pasi pranimi në familjen evropiane e botërore të aeronautikës ishte synim dhe ëndërr e cila u realizua dhe kjo na bën të ndihemi krenar”, tha kryetari i FAK, Fadil Gerguri, duke bërë me dija se “jemi të ndërgjegjshëm se pranimi në FAI nuk është vetëm privilegj, por edhe obligim për të gjithë ne. Besimin që e morëm me shumë vota duhet ta arsyetojmë me punën dhe angazhimin tonë, i cili gjithsesi nuk do të mungojë”.