FBK shokon Serbinë

Lajmi se Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) mund të pranohet në FIBA, ka befasuar opinionin serb. Trajneri i mirënjohur Ranko Zeravica pa pikë hezitimi ka reaguar ashpër ndaj njoftimeve të fundit duke thënë se një gjë e tillë nuk është e mundur të ndodh. “Lajmi se FIBA e ka pranuar Kosovën na ka shokuar…

Sport

27/02/2014 15:15

Lajmi se Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) mund të pranohet në FIBA, ka befasuar opinionin serb.

Trajneri i mirënjohur Ranko Zeravica pa pikë hezitimi ka reaguar ashpër ndaj njoftimeve të fundit duke thënë se një gjë e tillë nuk është e mundur të ndodh.

“Lajmi se FIBA e ka pranuar Kosovën na ka shokuar të gjithëve, edhe mua. Jam shokuar kur kam dëgjuar për diçka të tillë. Kjo nuk ka kurrfarë logjike, një shtet që nuk është i njohur nga Kombet e Bashkuara nuk mund të pranohet nga një asociacion ndërkombëtar”, u shpreh Zeravica për Novosti.sr.

Ai thotë se FIBA e ka ofenduar Serbinë.

“Nuk e kam të qartë se si mund t’i shkojë mendja dikujt për diçka të tillë, a mund të ketë njohuri për Federata të tjera që kanë lejuar zhvillimin e miqësoreve të caktuara. Të gjithë këtë situatë e shoh si ofendim nga FIBA. Ata gjithmonë kanë pasur qëndrim i cili ka qenë normal, dhe më pëlqente mua, por tani nuk kam çka të them. Kishim raport normal me ta por tani duket se e kanë ndërruar”.

Zeravica është i bindur se nuk do të mund ta shikonte një ndeshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Paramendojeni nëse në ndonjë garë duhet të luajmë kundër tyre. Kjo do të ishte e pakëndshme për të gjithë, e sidomos mua, nuk e di se si do të mund ta ballafaqoja”. Ai beson se edhe shtetet tjera përveç Serbisë nuk do të dëshironin të luanin kundër Kosovës.

“Të jem i sinqertë, besoj se do të ishte problem jo vetëm për ne por edhe të tjerët. E kam fjalën për shtetet që nuk i kanë njohur, si Spanja. Krejt kjo krijon komplikime për shumë shtete, sidomos për ne, ndërhyrje të caktuara politike ndikojnë në sport dhe krijojnë pasqyrë shumë të keqe”.