FBK me vendim të ri: Asnjë skuadër nuk bie nga Superliga

Superliga e Basketbollit të Kosovës do të mbarojë edhe dy xhiro, këtë vit nuk do të ketë 'luftë për mbijetesë'.

Sport

01/04/2021 09:37

Federata e Basketbollit të Kosovës ka marrë vendim që asnjë skuadër nga Superliga të mos bie në Ligën e Parë sezonin tjetër, pasi Superliga do të zgjerohet, shkruan lajmi.net.

‘Play-out’ po përcaktohej në dy xhirot e fundit, mirëpo tani një gjë e tillë nuk do të ndodhë pasi asnjë skuadër nuk do të largohet nga Superliga.

Ndërkohë, gara për Play Off vazhdon të mbetet. Dy skuadrat e para të tabelës shkojnë direkt në gjysmëfinale të Play Off-it, kurse skuadrat e vendeve 3-6 shkojnë në çerekfinale të Play Off-it.

Se sa skuadra do të ngjiten nga Liga e Parë në Superligë nuk dihet ende, mirëpo vendimi i sotëm i FBK-së na bën të ditur që nga skuadrat aktuale të Superligës, asnjëra nuk do të bie nga elita e basketbollit kosovar në fund të këtij sezoni. Në njoftimin e Federatës thuhet që ky vendim ka ardhur pasi që klubet aktuale të Superligës i kanë paraqitur FBK-së planet e tyre për investime afatgjate.

Basketbolli kosovar që prej vitit 2004/2005 nuk ka pasur kaq shumë skuadra garuese dhe kaq shumë investime, gjë që e ka shtyrë Federatën drejt këtij vendimi./Lajmi.net/