Fauci tregon afatin kohor kur ai mendon se Amerika “do ta mundë” Coronavirusin

Përhapja e Covid-19 në ShBA do të “përkeqësohet para se të bëhet më mirë” dhe vendi nuk do të shohë “ndryshime dramatike” deri në tremujorin e tretë të vitit të ardhshëm.

Bota

05/12/2020 12:22

Kështu së paku mendon Dr. Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) dhe anëtar i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për COVID-19, në një prononcim për Newsweek.

“Unë mendoj se rënia e numrit do të fillojë ndërsa ne hyjmë në prill dhe sa më shumë vaksinohet popullata e përgjithshme”, citohet të ketë thënë Fauci.

“Pastaj ndërsa shkojmë në maj, qershor dhe korrik, drejt fundit të tremujorit të dytë të vitit 2021, mendoj se do të fillojmë të shohim disa ndryshime dramatike ndërsa kalojmë në tremujorin e tretë”.

Duke vërejtur se vendi “nuk doli kurrë nga vala e parë” e shpërthimit të COVID-19, Fauci shpjegoi: “Unë madje as nuk flas më në valë [kur përshkruaj shpërthimin]. Unë e shoh atë më shumë si një sfond i lartë me dallgë të ndryshme mbi të, në krahasim me një valë që vjen dhe shkon”.

Dhe ai është përgjigjur në pyetjen nëse ka shpresë që ky virus të vihet nën kontroll?

“Oh absolutisht, po. Por do të përkeqësohet para se të bëhet më mirë, sepse ne po kemi këto valë tani që nuk do të ndikohen nga vaksina për të paktën disa muaj”.

Por ndërsa shtrimet në spital të COVID-19 rriten në të gjithë vendin, Fauci i tha Newsweek “është plotësisht e mundshme që janari të jetë faza më e keqe” e shpërthimit, përcjell Telegrafi.

“Unë mendoj se janari do të jetë i tmerrshëm, sepse do ta kemi valën e Falënderimeve dhe valën e Krishtlindjeve”.

Ndryshe, coronavirusi i ri ka infektuar më shumë se 65.4 milionë njerëz që kur u raportua për herë të parë në Wuhan, Kinë.

Më shumë se 1.5 milion njerëz kanë vdekur në të gjithë botën dhe më shumë se 42 milionë janë shëruar deri të premten, sipas Universitetit Johns Hopkins.