Faturat e haraçit të keqmenaxhimit

Ankesë për faturat e KEDS ka edhe LDK’ja. Sipas saj, faturat e larta të energjisë janë haraç që qytetarët e Kosovës që po paguajnë për shkak të keqmenaxhimit të KEK’ut dikur. Ndërsa fajin për faturat ia faturon qeverisë së drejtuar nga PDK.

Lajme

09/01/2014 11:42

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sot ndaj faturave të larta të energjisë elektrike me të cilat po përballen konsumatorët gjatë këtyre ditëve.

Sipas LDK’së, qytetarët po paguajnë haraç për shkak të keqmenaxhimit të KEK’ut. E, për këtë LDK fajëson koalicionin e drejtuar nga PDK dhe partitë tjera në këtë koalicion.

“LDK’ja vlerëson se përmes faturave të larta të energjisë elektrike, qytetarët e Kosovës po paguajnë menaxhimin e keq të KEK-ut dhe sektorit të energjisë në përgjithësi. Tash e sa vite, humbjet e energjisë në rrjet nuk janë zvogëluar dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja ka ngecur. Protestat qytetare vitin që shkoi nuk mjaftuan për tu vetëdijesuar personat përgjegjës. Qeveria, KEK’u dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ndërmorën masa edhe pse u formua Komision Hetimor Parlamentar për Faturat e Energjisë Elektrike, i iniciuar nga LDK-ja, dhe u nxor raport me rekomandime konkrete”.

Sipas LDK-së, shumë qytetarë sot nuk e dinë si llogaritet çmimi i energjisë, si rezultat i komplikimit nga tarifat e trefishta: tarifa dimërorëve dhe verore, tarifa e ditës dhe e natës, tarifa për shpenzime deri në 200 kë, deri në 600 kë dhe mbi 600 kë, pastaj tarifa për biznese dhe amvisëri.

“LDK’ja i mban përgjegjës të gjithë personat në zinxhirin menaxherial, nga menaxhmenti i KEK’ut e deri tek Qeveria për përkeqësimin e situatës. Është e papranueshme që investimet në ndërtimin e termocentraleve të reja të ngecin kaq gjatë dhe qytetarët të përballën me mungesë të një të mire elementare siç është energjia elektrike. LDK’ja vlerëson se kjo situatë është rezultat i neglizhencës dhe jo kompetencës të qeverisë të udhëhequr nga PDK dhe partitë në koalicion”.

“LDK’ja fton që urgjentisht të ndërmerren masa për të zbutur ngarkesën për qytetarë, në një kohë kur të ardhurat po bien dhe varfëria është në rritje. LDK’ja fton që të aplikohen urgjentisht masat e propozuara nga Komisioni Hetimor Parlamentar për Faturat e Energjisë”, thuhet në komunikatën e LDK’së.