Fati i Superligës së Kosovës, FFK takon sot përfaqësuesit e klubeve

Sot është një ditë e rëndësishme në lidhje me fatin e kampionatit 2019/20 të futbollit kosovar.

Sport

06/05/2020 10:40

Në zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovës do të mbahet një takim mes zyrtarëve të institucionit drejtues të futbollit kosovar dhe përfaqësuesve të klubeve.

Temë diskutimi do të jetë mundësia e rifillimit të kampionatit, që aktualisht është opsioni më i mundshëm.

Gjithsesi, përkundër takimit, fati i rifillimit të kampionatit mbetet në duart e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila nuk i ka kthyer ende përgjigjje FFK-së.

Federata e Futbollit e Kosovës i është drejtuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike me kërkesën për lejimin e vazhdimit të aktiviteteve të futbollit gjatë këtij muaji.

FFK-ja i qëndron sugjerimit që më 24 maj të luhen ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, kurse më 30 maj të rifillohet me ndeshjet e mbetura të këtij edicioni.

Kjo, sipas presidentit Agim Ademi, është mundësia e vetme që garat të rifillojnë dhe të përfundojnë në afatin e paraparë nga UEFA.

Ndërkohë, Federata nuk ua ndalon e as nuk i sugjeron klubet të dalin në stërvitje.