Fati i marrëveshjes kolektive dihet në tetor

Këshilli Ekonomiko Social ka propozuar muajin tetor kur do të përcaktohet data për nënshkrimin e marrëveshjes kolektive.

Lajme

25/09/2013 17:01

Në muajin tetor pritet nënshkruhet marrëveshja kolektive. Kështu ka propozuar sot Këshilli Ekonomik Social në mbledhjen e vet të radhës.

Alush Sejdiu nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës tha se muaji i ardhshëm është një kohë e përshtatshme që të caktohet një datë për nënshkrimin e marrëveshjes kolektive.

“Unë propozoj që muaji tetor, më së largu nëntor, të jetë muaji kur do të caktohet data për nënshkrimin e marrëveshjes kolektive“.

Sejdiu tha se edhe pse është dorëzuar drafti përfundimtar Qeverisë vitin e kaluar ata nuk kanë marrë ndonjë përgjigjje duke mbetur me shpresë se muaji tetor mund të jetë muaji i afatit.

Drafti i marrëveshjes për kontratën kolektive i ishte dërguar Qeverisë nga Këshilli Ekonomik Social në dhjetor të vitit 2012 por nuk ka marrë deri më tani asnjë përgjigje.

Ndërsa Zëvendës Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se kjo çështje duhet të diskutohet kur do të jetë i pranishëm edhe zyrtari i Ministrisë së Financave.

“Ta sigurojmë zyrtarin e Ministrisë së Financave dhe të kërkojmë prej tij për fatin e marrëveshjes kolektive përndryshe ne nuk mund ta përcaktojmë një datë, për shkak se nuk kemi asnjë informatë se çka po ndodh me marrëveshjen”.

Haxhi Arifi kryetar i BSPK mbeti me shpresë se marrëveshja do të nënshkruhet në muajin tetor.

“Unë mbes me shpresë se kjo do të përfundoj në muajin tetor dhe ne duhet ta kemi, sepse po na krijohen telashe për të drejtat legjitime të punëtorëve”.

“Mund të them se ne jemi të vetmit në regjion që nuk e kemi një kontratë kolektive në nivel nacional qysh nga viti 2008”.

“Edhe pse ne jemi një organ këshillëdhënës por atje ku demokracia funksionon ato këshilla jan të mirëseardhura për qeverinë dhe ato vetëm nënshkruhen”.