Fati i Gjykatës Speciale është në duart e disa deputetëve të “rebeluar”

Situata rreth krijimit të Gjykatës Speciale vazhdon të jetë e “mjegullt” brenda dy partnerëve të koalicionit, PDK e LDK, të cilët ende nuk e kanë të qartë nëse do të arrijnë t’i sigurojnë votat e nevojshme, pavarësisht kthimit të Listës Serbe në institucionet e Kosovës.

Lajme

30/04/2015 08:25

Në kohën kur kanë mbetur vetëm dhjetë ditë para se ligjvënësit e Kosovës ta kenë para vetes sfidën më të madhe të krjimit të Gjykatës Speciale, dy partnerët e koalicionit qeverisës vazhdojnë të jenë në “ethe” nëse do të arrijnë t’i sigururojnë 2/3 e votave të deputetëve.

Amendamentet kushtetuese, të cilat i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së mësohet se do të jenë në rend dite në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës më 7 maj.

Por, situata vazhdon të jetë e “mjegullt” nëse dy partitë në pushtet, PDK e LDK do të arrijnë t’i bindin deputetët për të votuar në favor të krijimit të Speciales, pavarësisht kthimit të Listës Serbe në institucionet e Kosovës.

Fati i kësaj Gjykate vazhdon të jetë në duart e disa deputetëve të partisë së Hashim Thaçit, të cilët vazhdojnë të mos i bindën “urdhrave” të liderit të tyre për t’i thënë “po” krijimit të kësaj Gjykate.

Në mesin e deputetëve “rebelues” të PDK-së që do të votojnë kundër janë: deputeti Fadil Demaku, Nait Hasani, derisa është përfolur emri i Azem Sylës dhe i Ganimete Musliut. /Zëri/