Faqe e re për shqiptarët

Kryeministri shqiptar, Edi Rama e quan mbledhjen e dy qeverive shqiptare si hapje e një faqe të re të bashkëpunimit. Ai thotë se në këtë mbledhje do bien dakord për të krijuar një fond të posaçëm për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Lajme

06/01/2014 14:22

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mbledhjen e përbashkët të Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës,  në Prizren më 11 janar,  e quan “hapje të një faqe të re”  të bashkëpunimit në mes të dy shtetet shqiptare.

“Do të çelim një faqe krejt të re bashkëpunimi mes dy qeverive që kanë sfidën e njëjtë të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Europian”.

“Me vetëdijen e lartë për potencialet e zhvillimit dhe nevojat për zhvillim të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, dy qeveritë do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë”.

Rama thotë se kjo mbledhje do të jetë shenjë solidariteti edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ku ai thotë se dy qeveritë shqiptare do të dakordohen për një fond të posaçëm për shqiptarët atje.

“Kjo mbledhje do të zhvillohet edhe në shenjën e solidaritetit me bashkësinë shqiptare të Preshevës, të cilës të dyja qeveritë do t’i akordojnë një fond të posaçëm ndihme për ngritjen e maternitetit të ri”, shkroi Edi Rama në rrjetin social Facebook.