Familja Tolaj dorëzon kallëzim penal kundër prokurores Bamieh

Familja e Ilir Tolajt ka vendosur të bëjë kallëzim penal kundër prokurores së suspenduar të EULEX-it, Maria Bamieh, për shkak të veprimeve të disa ditëve të mëhershme.

Lajme

07/11/2014 18:01

Familja Tolaj ka vendosur të bëjë kallëzim penal kundër saj mbi bazë të dyshimit të bazuar së ajo ka kryer vepër penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, sipas nenit 422 të Kodit Penal të Kosovës. Bazuar në faktet ekzistuese, ajo e ka kryer këtë vepër duke e përvetësuar një numër dokumentesh zyrtare nga dosja e rastit në zyrat e PSRK dhe të njëjtat ju ka dorëzuar gazetarëve të medieve të ndryshme, thuhet  në njoftimin dërguar medieve nga kjo familje.

Sipas Tolajve, prokurorja Bamieh ka bërë interpretime tendencioze dhe qëllimisht të rrejshme të këtyre dokumenteve, ashtu si edhe të rastit kundër Dr. Ilir Tolajt në tërësi.

Familja Tolaj thotë se Bamieh i ka shkaktuar dëm serioz emrit dhe reputacionit të mbarë familjes dhe ka dhunuar në mënyrë të vrazhdë të drejtat e tyre kushtetuese.

Kallëzimi penal kundër Maria Bamieh i është dorëzuar sot ushtruesit të detyrës së prokurorit të shtetit, Sylë Hoxha, znj. Jaroslava Novotna, kryeprokurore e EULEX-it, dhe nnj. Sevdije Morina, kryeprokurore e PSRK-së.

Meqë Maria Bamieh është shtetase e Britanisë së Madhe, një kopje të kallëzimit penal familja Tolaj do të dërgojë për shqyrtim edhe në Shërbimin Mbretëror Prokurorial (CPS) të Britanisë së Madhe.

Familja e Dr. Tolajt pret që ky kallëzimi penal do të shqyrtohet me prioritet të nevojshëm dhe bazuar në ligjin, thuhet në njoftim.