Familja e Thaçit ngushëllon atë të Nanos: Kujtimi për të do të mbetet i përjetshëm
Familja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ka ngushëlluar familjen e Fatos Nanos, për ndarjen nga jeta të tij. Përmes një telegrami ngushëllimi, familja e Thaçit thotë se Nano i përkiste gjeneratës së liderëve që me sukses transformuan politikën shqiptare në kthesat historike nga sistemi monist në një shoqëri demokratike pluraliste. Pos tjerash, në telegram…
Lajme
Familja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ka ngushëlluar familjen e Fatos Nanos, për ndarjen nga jeta të tij.
Përmes një telegrami ngushëllimi, familja e Thaçit thotë se Nano i përkiste gjeneratës së liderëve që me sukses transformuan politikën shqiptare në kthesat historike nga sistemi monist në një shoqëri demokratike pluraliste.
Pos tjerash, në telegram thuhet se ‘kujtimi për ish-kryeministrin shqiptar, Fatos Nano, do të mbetet gjithmonë i përjetshëm’.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano. Në këto ditë dhimbjeje, në emër të Familjes Thaçi dhe të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve, përfaqësuesve të institucioneve të shtetit shqiptar dhe miqve të z. Nano”.
“Fatos Nano i përket gjeneratës së liderëve që me sukses transformuan politikën shqiptare në kthesat historike nga sistemi monist në një shoqëri demokratike pluraliste. Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik. Përkrahja që z. Nano i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare”.