Familja e Pistës i shkruan Thaçit

Familjarët e Elvis Pistës kanë kërkuar nga kryeministri të ushtrojë ndikimin e tij që të zbardhet vrasja e birit të tyre dhe dorasit të marrin ndëshkimin e merituar. 

Lajme

14/08/2014 09:19

Pista, që ishte edhe bashkëpartiak i Thaçit dhe kandidat i partisë së tij në zgjedhjet e kaluara, u vra më 15 qershor në Rahovec.

E indinjuar me mungesën e përparimit në zbardhjen e vrasjes së Elvis Pistës, familja e tij i ka shkruar një letër kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga i cili kërkon të ushtrojë ndikimin e tij “politik dhe institucional” ndaj organeve të hetuesisë dhe të drejtësisë, që hetimet rreth vrasjes së Pistës të përmbyllen dhe përgjegjësit për këtë krim të dalin para drejtësisë.

Në letër – një kopje të së cilës “Koha Ditore” e ka siguruar nga familjarët e Pistës, dhe e cila u është drejtuar përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, prej të cilëve në mënyrë eksplicite përmendet vetëm kryeministri Thaçi – shprehet besim tek institucionet e Kosovës dhe kryeministri Thaçi, por paralajmërohet se “ky besim mund të zbehet në rast se vazhdon të mos ketë rezultate konkrete nga hetimet. Ky besim mund të shndërrohet në zhgënjim, e zhgënjimi është i madh edhe në mesin e qytetarëve të Kosovës, e qytetarëve të Rahovecit”.