Falsifikuan dokumentet e identifikimit, pranga 3 shqiptarëve nga Kosova

Policia e Tiranës ka arrestuar tre shqiptarë nga Kosova dhe një banore të Tiranës, të cilët akuzohen për falsifikim të dokumenteve identifikuese.

Lajme

21/01/2015 22:07

Pas një hetimi të kryer në bashkëpunim me komisariatin e policisë nr. 6, sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, në kuadër të aksionit “Aplikimi”, ka arrestuar Agron Beqajn,  37 vjeç,  lindur dhe banues në fshatin Rrajcë, Kosovë; Blendi Beqajn, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Rrajcë, Kosovë; Faik Letaj, 38 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Rrajcë, Kosovë; Hajrie Breçani, 53 vjeç, banuese në Tiranë, raporton gazeta Shekulli.

Arrestimi i tyre u bë pasi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë aplikuar për letërnjoftime në Gjendjen Civile të bashkisë Vorë, duke përdorur certifikata me gjeneralie të rreme dhe me shtetësi shqiptare, për të cilat dyshohet se ishin të siguruara nga shtetasja Hajrie Breçani.

Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur sekuestrimi në cilësinë e provës materiale: disa pasaporta kosovare dhe karta identiteti, tre aparate telefoni celular, një automjete tip “Citroen”, me targë 03 448 EA, formular aplikimi të kompanisë “Aleat”, si dhe disa certifikata familjare dhe dy personale të lëshuara nga gjendja civile e Bashkisë Vorë.

Personat do të procedohen penalisht nga prokuroria për veprën penale “falsifikim dokumentesh”.