Falja e të burgosurve, Presidentja duhet të ndërmarrë masa

IDK vlerëson reagimin e shpejt të Presidentes Atifete Jahjaga pas raportimeve se njëri prej të falurve është recidivist. IKD kërkon nga organet përkatëse të ndërmarrin hapat e nevojshme, dhe nëse është e nevojshme Presidentja duhet të shfuqizojë dekretin.

Lajme

20/02/2014 10:06

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar reagimin e menjëhershëm të Presidentes Atifete Jahjaga, për të verifikuar informatat se njëri prej të falurve në Ditën e Pavarësisë, mund të jetë recidivist.

IKD shpreh shqetësimin e saj për institutin e faljes në Kosovë, ku edhe në raportin e tyre të vitit 2012 ata e kishin gjetur se ky institut nuk po respekton kriteret e faljes që janë të përcaktuara me ligj.

“Vlerësojmë reagimin e menjëhershëm të Presidentes Jahjaga për të verifikuar informatat e raportuara në media dhe inkurajimin e mediave që të jenë kujdestarë të institucioneve të vendit”.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësimin rreth Dekretit për Falje të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, të cilin e ka nxjerr me rastin e gjashtë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë” .

“Ky shqetësim vije për shkak të dyshimeve të ngritura në media se nga Falja Presidenciale ka përfituar një i dënuar recidivist, në kundërshtim me kriteret e Ligjit për Faljen”.

“Në raportin e publikuar në janar 2012, IKD ka theksuar se instituti i faljes në Kosovë ka pësuar zhvlerësim të vazhdueshëm pikërisht për shkak të mos respektimit të kritereve dhe ligjit”. “Zbatimi i mbrapsht ndër vite ka bërë që të dënuarit më parë ta shohin institutin e faljes si një produkt që blihet sesa si një akt mëshire dhe një shans për ri-socializim më të shpejtë.”

IKD kërkon që përveç komisionit ad hoc për falje, Ministria e Drejtësisë duhet të bëj përpjekje që të identifikojë dështimet e Shërbimit Korrektues.

“Krahas angazhimit të Komisionit Ad Hoc për Falje të Presidentes për të verifikuar informatat, Ministria e Drejtësisë duhet të angazhohet maksimalisht që të identifikoj dështimet e Shërbimit Korrektues dhe ekipeve multi-profesionale”.

“Në dy analizat e publikuara, IKD ka gjetur se raportet e ekipeve multi-profesionale të Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë qenë kundërthënëse, të pasakta, shabllon dhe jokonkrete, duke bërë tejet të vështirë zbatimin e drejtë dhe meritor të faljes në Kosovë”.

“Në rast se të gjeturat e Komisionit Ad Hoc për Falje të Presidentes dhe Ministrisë së Drejtësisë vërtetojnë raportimet e mediave dhe shkeljen e kritereve ligjore, atëherë duhet të ndërmerren hapat sikurse kërkohet me ligj”.

IKD kërkon që pas raportimeve për shkeljen e kritereve ligjore, Presidentja Jahjaga duhet të shfuqizojë dekretin për faljen e personit në fjalë.

“Presidentja duhet të shfuqizoj dekretin, Prokurori i Shtetit duhet të grumbulloj informata dhe hetoj rastin ashtu që të nxjerrë në pah në qoftë se shkeljet e dispozitave të Ligjit për Faljen janë mundësuar për shkak të veprimeve të personave me qëllime të caktuara, si dhe Ministria e Drejtësisë duhet të intervenoj në përmirësimin e punës së Shërbimit Korrektues ashtu që të gjitha dosjet e të të dënuarve të rishikohen dhe të përmirësohen që të pasqyrojnë gjendjen reale”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga IKD.