Falcao iu ofrua Barcelonës

Radamel Falcao i ishte ofruar Barcelonës, por në fund gjiganti katalunas vendosi për përfaqësuesin uruguaian, Luis Suarez.

Sport

17/08/2014 11:22

Radamel Falcao i ishte ofruar Barcelonës në muajin maj. Edhe pse ishte njëri prej sulmuesve më të mirë në botë që ishte në treg, gjiganti katalunas vendosi të heq dorë nga kolumbiani, pasi e preferonte një tjetër sulmues të rrezikshëm, Luis Suarezin, shkruan e përditshmja spanjolle Mundo Deportivo.

Klubi Azulgrana e kishte konsideruar faktin se, për formën në të cilën e kishte ndërmend të luajë Luis Enrique, lojtari që do të adaptohej më së miri dhe do t’i përshtatej dyshes Messi-Neymar, ishte pikërisht sulmuesi uruguaian, në atë kohë i Liverpoolit.

Ndër të tjera, lëndimi i rëndë i pësuar në fillim të këtij viti nga ana e ish sulmuesit të Portos dhe Atletico Madridit, i kishte bërë të dyshonin për aftësitë e tij, drejtuesit e Barçës.

Por, jo edhe ata të Real Madridit, të cilët ende insistojnë ta transferojnë në Santiago Bernabeu sulmuesin e Monacos.