FAK’ut i duhen 60 milionë euro në vit

Ekspertët e sigurisë thonë se Kosova, me kapacitetet aktuale ekonomike që i ka, mund të përballojë një ushtri numerikisht të vogël, me 4 mijë trupa aktive e 1500 trupa rezervë, e pajisur me armatim të lehtë, e cila do të ishte e aftë të mbronte sovranitetin.

Lajme

02/03/2014 09:56

Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të njohur shkurt si FAK.

Krahas ndryshimeve Kushtetuese që nevojiten për shndërrimin e FSK’së në Forca të Armatosura, nevojitet po ashtu, edhe miratimi i një buxheti shumë më i madh.

Për këtë vit Qeveria e Kosovës i ka ndarë vetëm 42 milionë euro për përmbushjen e aktiviteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat nuk janë të mjaftueshme edhe për përmbushjen e mandatit aktual të FSK’së, shkruan sot Kosova Sot.

Sipas Skender Perteshit, ekspert i sigurisë nga Qendra Kosovare për Studime te Sigurisë, Kosova, me kapacitetet aktuale ekonomike që i ka, mund të përballoj një ushtri numerikisht të vogël – 4 mijë trupa aktive, si dhe 1500 trupa rezervë, e pajisur me armatim të lehtë, e cila do të ishte e aftë të mbronte sovranitetin dhe integritetin e vendit, si dhe të kontribuonte në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Për themelimin e një force të bazuar në këto kapacitete, Qeveria duhet të ndajë një buxhet deri në 60 milionë euro, i cili nuk e tejkalon shumën 4% të buxhetit aktual të Republikës së Kosovës. Sa i përket mundësisë që Ushtria e Kosovës të pajisjet me mjete luftarake, pa të cilat nuk do të kishte kuptim formimi i ushtrisë, sipas ekspertit të QKSS-së, me buxhetin aktual Ushtria e Ardhshme e Kosovës nuk ka mundësi të pajisjet me mjete luftarake.

“Buxheti aktual i Kosovës nuk u lejon forcave të ardhshme të Kosovës që të pajisjen me mjete të rënda luftarake, siç janë të pajisura shumica e shteteve në rajon. Ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe pajisja e tyre me mjete të rënda luftarake është shumë e kushtueshme dhe e papërballueshme për buxhetin aktual të Kosovës”.

Ndërkaq, ‘Kosova Sot’ sjell edhe të dhënat nga Ministria e e FSK’së, të cilat flasin për një buxhet të varfër dhe jo të mjaftueshëm për Ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Remzie Zeqiraj, major Oficer për Marrëdhënie me Publikun në MFSK, ka bërë të ditur për gazetën se buxheti për vitin 2013 ka qenë i planifikuar dhe i aprovuar në vlerë prej 39.347.258.00 eurosh, ndërsa buxheti i alokuar ka qenë 36.966.530.04 euro.

“Për vitin 2014 nga Qeveria e Republikës së Kosovës për MFSK/FSK është ndarë buxheti në vlerë prej 42.038.070.00 eurosh. Ndryshimi në buxhet për afër 5 milionë euro është buxhet që për së afërmi i plotëson nevojat e parapara për institucionin tonë për vitin fiskal 2014”.

“Ky buxhet është miratuar nga Ministria e Financave, respektivisht Qeveria e Republikës së Kosovës dhe aprovuar nga Parlamenti i Republikës së Kosovës në përkrahje të KomisionitParlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së”, ka nënvizuar ajo, duke mos dhënë shpjegime për nevojat shtesë buxhetore.

“Ndërsa, gjatë muajit mars dhe prill do të bëhet planifikimi për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) 2015 – 2017, dhe do të prezantohen kërkesat për buxhet shtesë në përputhje me produktet e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë”.