Fakulteti i Mjekësisë nis “divorcin” me UP-në

Fakulteti i Mjekësisë nuk do që të jetë nën kupolën e Universitetit të Prishtinës (UP). Do që të jetë universitet më vete. 

Lajme

07/01/2015 08:40

Të martën pasdite në Ministrinë e Arsimit është deponuar dhe protokolluar kërkesa për themelimin e Universitetit të Shkencave Mjekësore (UShM), së cilës i janë bashkëngjitur firmat e 189 mësimdhënësve të njësisë akademike që diplomon mantelbardhët. Iniciativa mbështetet nga organi më i lartë i Fakultetit – Këshilli.

Ndërkaq është finalizuar edhe një elaborat 51-faqesh, që e arsyeton nevojën për ndarje nga UP-ja, shkruan sot Koha Ditore.

Në kërkesën adresuar ministrit Arsim Bajrami, mësimdhënësit kanë shprehur nevojën që ndarja të ndodhë sa më shpejt.

“Themelimi i këtij universiteti është një çështje urgjente, për shkak të specifikave që ka Fakulteti ynë, si dhe për shkak të rrethanave dhe paqartësive të krijuara në vazhdimësi në kuadër të Universitetit të Prishtinës dhe raportit me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, thuhet në kërkesë.

Në Rektorat kanë thënë të mos jenë në dijeni për këtë iniciativë për ta braktisur UP-në, që është e mbështetur nga rreth 200 mësimdhënës.

“Rektorati nuk është në dijeni për një kërkesë të tillë. Ne nuk mund të flasim më shumë, përderisa nuk jemi të informuar për këtë çështje as nga Fakulteti i Mjekësisë e as nga MAShT-i”, ka thënë Durim Berisha, këshilltar i rektorit Zejnullahu.