Fakultet do të hapet edhe në Vushtrri

Vushtrria njihet si qyteti ku shkollohen të gjithë pjestarët e policisë së vendit. Por, prej disa kohësh kjo shkollë, përveç për policinë, ofron aftësim profesional edhe për struktura të tjera të sigurisë. Tani ajo pritet të avancohet në Fakultet të Sigurisë Publike. 

Lajme

07/07/2014 11:53

Është duke u ndërtuar një objekt, i cili planifikohet të jetë Fakulteti i Sigurisë Publike, në Vushtrri. Në rrugën “Gjergj Kastrioti – Skënderbe”, përbrenda ambienteve të Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, janë duke u realizuar punimet në ndërtimin e këtij objekti, që komunën e Vushtrrisë e bëjnë për herë të parë në histori me një fakultet. 

Zëdhënësi i komunës së Vushtrrisë, Bahri Bivolaku, tha se pritet që ky objekt do të jetë i gatshëm për t’i pranuar studentet brenda këtij viti akademik. 

“Ndërtimi i këtij objekti të Fakultetit të Sigurisë Publike, e në afri edhe i objektit të degës së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, në Vushtrri, si dhe investimet që është duke i kryer komuna e Vushtrrisë, duke rregulluar dhe zgjeruar rrugët dhe trotuaret si dhe rrjetin nëntokësor të kanalizimit e të ujësjellësit, e bëjnë këtë pjesë të qytetit të Vushtrrisë më të zhvilluar”, tha Bivolaku. (Zëri)