FAK është punë e kryer dhe aty pazare s’ka
Hajredin Kuçi thotë që çështja e vendeve të rezervuara duhet të hapet diku tjetër, e jo si balancë për Forcat e Armatosura. Vlerëson se FAK është punë e kryer dhe se për këtë çështje nuk bëjnë pazare. Thotë se këtë duhet ta votojnë të gjithë deputetët.

Lajme
Çështja e Forcave të Armatosura të Kosovës është punë e kryer dhe kjo nuk duhet të ndërlidhet me asnjë veprim politik, partiak apo etnik.
Kjo është përgjigja e Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, për minoritetet, të cilët po kërkojnë që me hapjen e Kushtetutës për Forcat e Armatosura, të ketë ndryshime edhe për vendet e rezervuara.
Në një konferencë për media, pas takimit që kishte me Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferi, Kuçi ka thënë se çështja e ulëseve të rezervuara duhet të hapet diku tjetër.
“Çështja e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës është punë e kryer. Kjo nuk duhet të ndërlidhet me asnjë veprim tjetër politik, partiak apo etnik, janë çështje të ndara”.
“I ftojmë partitë politike tjera që po hapin dilema duke pasur frikën që po mbesin mbrapa historisë, ta mbështesin një proces të tillë në Kuvend. Sikurse që i ftojmë edhe komunitetet në Kosovë të mos e ndërlidhin çështjen e forcave të armatosura, me çështjen e vendeve të rezervuara, janë dy punë të ndara”.
“Forcat e Armatosura do t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve apo komuniteteve që janë në Kosovë dhe nuk kanë të bëjnë me pozitat partiake, politike apo etnike të dikujt në Kuvendin e Kosovës apo diku tjetër”.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, gjithashtu ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që sa më shpejtë të miratojë amandamentimin që ka të bëjë me FAK, pasi ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për mendim.
“Ne kemi dërguar amendamentet e parapara që duhet të bëhen. Unë besoj që Kuvendi i Kosovës jo me 2/3, por me gjithë deputetët duhet ta votojnë”.
Kuçi më pas theksoi se Forcat e Armatosura janë vullnet i të gjithëve për një shekull.
“E para ne nuk hyjmë në pazare me themelimin e Forcave të Armatosura dhe nuk kërkojmë garanci prej askujt me i dhënë diçka tjetër”.
“Çështja e dytë është që në Qeverinë e Kosovës, në Këshillin për Siguri Nacionale, kanë qenë shumë korrekt me pjesëmarrje aktive dhe me votim. Në Kuvendin e Kosovës nuk duhet ta ngacmojmë këtë temë. Le të hapet tema e vendeve diku tjetër, e jo si balancë për Forcat e Armatosura”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, flet edhe për takimet e radhës në Bruksel.
Thotë se takimi i fundit për drejtësi është finalizuar dhe se Qeveria dhe Kryeministri i Kosovës është i gatshëm kurdo që Baronesha Ashton koordinon aktivitetin me Kryeministrin e Serbisë të finalizohet edhe nënshkrimi i asaj marrëveshje.