Fadil Nura zëvendës i Sami Lushtakut

Fadil Nura do ta ushtrojë postin e të parit të komunës përderisa Sami Lushtaku do të jetë i penguar ta ushtrojë këtë post për shkak se gjendet në paraburgim me akuzën për krime lufte.

Lajme

07/01/2014 09:02

Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ka marrë vendim që ta emërojë Fadil Nurën në postin e Nënkryetarit të Komunës.

Kësisoj, Fadil Nura do ta ushtrojë postin e të parit të komunës përderisa Sami Lushtaku do të jetë i penguar ta ushtrojë këtë post për shkak se gjendet në paraburgim me akuzën për krime lufte.

Fadil Nura, i cili cilësohet si një nga njerëzit më të afërt dhe më të besueshëm të kryetarit Sami Lushtaku, postin e nënkryetarit e ka mbajtur edhe gjatë mandatit të kaluar, raporton Rtklive.

Duke konfirmuar vendimin e Lushtakut për emërimin e tij në postin e nënkryetarit dhe autorizimin që ai ta zëvendësojë gjatë kohës sa ai të jetë në paraburgim, Nura tha se Sami Lushtaku mbahet padrejtësisht në paraburgim me akuza të sajuara, ndërsa u shpreh i sigurt në pafajësinë e tij.

 

“Këto akuza janë të sajuara, Lushtaku është plotësisht i pafajshëm dhe ai së shpejti do të kthehet për ta qeverisur Skënderajn. Qytetarët e Skënderajt kanë nevojë për Sami Lushtakun”, tha nënkryetari Nura.

Ai tha se do të vazhdohet të punohet me intensitet të shtuar për realizimin e projekteve që janë duke shkuar si dhe të projekteve të reja.

“Gjithsesi, ne do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin program që e ka hartuar kryetari Lushtaku, do t’i zbatojmë projektet që janë me prioritet, disa nga të cilat janë duke u realizuar, si dhe do të realizohen projektet e reja”, tha ai.

Duke folur për ekzekutivin, të cilin ai do ta drejtojë deri sa të kthehet kryetari Lushtaku, Nura tha se do të ketë ndryshime në disa drejtori, por nuk precizoi se ne cilat drejtori do të bëhen ndryshime.

Nura shfaqi gatishmërinë e tij që të paktën një drejtori ta drejtojë një femër.