Evakuohen shumica e udhëtarëve, edhe 160 të tjerë në pritje të shpëtimit (Foto&Video)

E plotësuar: Evakuimi i udhëtarëve nga anija italiane që mori flakë të dielën në Detin Adriatik, jo shumë larg nga porti i Vlorës, po vazhdon edhe në këto momente. Shumica e udhëtarëve janë evakuuar, përkundër stuhisë dhe valëve të mëdha që po paraqesin problem për ekipet e shpëtimit.

Bota

29/12/2014 10:49

Më shumë se 160 njerëz janë ende në pritje të shpëtimit nga anija “Norman Atlantik”, e cila ishte duke udhëtuar nga Patras në Greqi për në Ankona të Italisë.

Zyrtarët grekë kanë njoftuar të hënën në mëngjes se 316 prej 478 njerëzve në bord tashmë janë evakuuar, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Po ashtu njoftohet se një person ka vdekur gjatë përpjekjeve për t’i shpëtuar zjarrit, që shpërtheu të dielën para agimit, në një veturë, pranë së cilës ishin të parkuara edhe dhjetëra vetura të tjera të udhëtarëve.

Shumica e udhëtarë, pas evakuimit kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, pasi shëndeti i tyre është përkeqësuar nga të ftohtit, pasi ishin të detyruar të rrinë në ambient të hapur nga rreziku që iu kanosej prej zjarrit dhe tymit që ka kapluar ambientet e brendshme të anijes italiane.

Helikopterë italianë kanë marrë gjatë natës nga anija të paktën edhe 100 udhëtarë, ka thënë piloti i Forcave Ajrore Italiane, Antonio Laneve, ndërkohë që sipas tij po vazhdojnë përpjekjet për evakuimin edhe të rreth 160 udhëtarëve të tjerë që kanë ngelur në anije.

Udhëtarët po zhvendosen me helikopterë në anije tjera të shpetimet, disa prej të cilave tashmë kanë arritur në Bari, ndërkohë që evakuimi me gomone është pothuajse i pamundur për shkak të valëve të mëdha dhe stuhisë që ka përfshirë ëktë pjesë të Adriatikut.   

“Ky është një mision i ndërlikuar shpëtimi. Shikimit është e dobët dhe kushtet e motit janë të vështira, por ne jemi të sigurt sepse ka një numër të mirë të anijeve në zonë”, ka thënë ministri grek, Miltiadis Varvitsiotis, duke bërë të ditur se zjarri në anije është vënë pjesërisht nën kontroll.

Shumica e udhëtarëve në “Norman Atlantik” ishin shtetas grekë, ndërsa mbi 100 prej tyre ishin të huaj, nga Italia, Turqia, Shqipëria, Gjermania dhe vende të tjera që po udhëtonin nga Patra për në Ankona.

———————————————————————–

Anija në flakë, 310 persona të shpëtuar, 168 ende në det (Video)

Në anijen “Norman Atlantic”, të përfshirë nga flakët që prej mëngjesit të djeshëm vazhdon operacioni i shpëtimit, ku bilanci i fundit flet për 310 persona të shpëtuar dhe 168 janë ende në bordin e anijes, mbi të cilën ndodhet tani edhe personeli mjekësor.

Sipas Agjencisë së lajmeve italiane “TGcom.24″, prefekti i Barit Antonio Nunziante bën të ditur se ka mbërritur në portin e Brindisit një anije me 49 pasagjerë. 

Sipas Nuziantes mes tyre janë dhe tre fëmijë. Pasagjerët janë shqiptarë, grekë dhe 2 klandestinë, ndërsa ka nisur operacioni i zbarkimit të tyre në breg. Operacioni për shpëtimin e personave të ndodhur në anije ka vazhduar gjatë gjithë natës. 

Anija “Norman Atlantic” u përfshi nga flakët mëngjesin e 28 dhjetorit. Në anije ndodheshin 466 persona. Shumë anije i janë përgjigjur kërkesës për ndihmë të “Norman Atlantic” dhe rreth orës 7:00 GMT, 55 persona ishin transferuar në një anije tjetër, ndërkohë 150 të tjerë ndodheshin në një varkë shpëtimi. Zjarri mendohet se ka filluar në parkingun e veturave, që mban rreth 200 makina. Por shumë shpjet flakët përfshinë të gjithë anijen.

“Norman Atlantic” kishte lënë dje portin grek të Petras në orën 3:30 GMT në drejtim të portit italian të Ankonas dhe kishte dërguar një sinjal ndihme kur ndodhej 33 milje detare larg ishullit të vogël grek të Otonoit.