Europa s’është e kompletuar pa Ballkanin

Ministri Enver Hoxhaj thotë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Sipas tij, ndërtimi i Europës nuk mund të jetë i plotë, nëse Ballkani nuk është pjesë e BE’së.

Lajme

18/12/2013 15:18

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në një intervistë për gazetën italiane l’Unità, ka kërkuar nga BE që t’i ofrojë Kosovës rrugën e qartë të integrimit.

Ai ka vlerësuar se ndërtimi i Europës nuk mund të konsiderohet i kompletuar, në qoftë se pjesë e saj nuk është edhe rajoni i Ballkanit në tërësi.

Hoxhaj ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe duhet të udhëtojnë pa viza brenda Zonës Schengen.

“Kemi nisur që nga vjeshta e këtij viti të bëjmë hapat e parë për t’u bashkuar me BE’në dhe shpresojmë se në muajt e ardhshëm do të arrijnë edhe marrëveshjet e para në këtë drejtim.”

“Ndërtimi i Europës nuk mund të konsiderohet i kompletuar, nëse pjesë e saj nuk është edhe rajoni i Ballkanit në tërësi”.

“Në këtë kontekst, është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë lirinë e plotë për lëvizje pa viza brenda Zonës Schengen”.

“Ne duam që kosovarët të ndjehen të barabartë me qytetarët tjerë të Europës dhe nuk duhet të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Kosova nga perspektiva historike, gjeografike, kulturore, është një vend që i takon Europës”.

“Për këtë, hyrja e saj në BE do të ishte një rikthim në vendin të cilit ajo i përket”.

Ministri Enver Hoxhaj, më tutje, ka folur për progresin në Kosovë, ndërsa ka kërkuar përkrahjen e Italisë në rrugën e anëtarësimit të Kosovës në BE.

Sa i përket zgjedhjeve të fundit lokale, Hoxhaj i ka quajtur ato si historike, duke iu referuar faktit se për herë të parë është votuar në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe katër komunat e Veriut, që më parë nuk kanë qenë të përfshira në votim.

“Kosova ka një kulturë politike, demokratike dhe euopiane. Kjo është riafirmuar edhe nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare që monitoruan zgjedhjet komunale.”

“Sa i përket Veriut të Kosovës, pa dyshim është hapur një rrugë e re në të cilën duhet të vazhdojmë të ecim”.