EULEX ‘zhvishet’ nga kompetencat

Qeveria e Kosovës po synon që në takimin e Brukselit, më 16 janar për sundimin e ligjit, të dëshmojë se është plotësisht e gatshme dhe e përgatitur për të marrë nga EULEX’i të gjitha përgjegjësit në fushën e sundimit të ligjit, me përjashtim të pjesës veriore.

Lajme

14/01/2014 08:26

Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend një Ligj dhe një strategji për përfundimin e mandatit të EULEX’it në verën e këtij viti.

Kështu Qeveria e Kosovës po synon që në takimin e Brukselit, më 16 janar për sundimin e ligjit, të dëshmojë se është plotësisht e gatshme dhe e përgatitur për të marrë nga EULEX’i të gjitha përgjegjësit në fushën e sundimit të ligjit, me përjashtim të pjesës veriore të vendit, ku situata është akoma e brishtë, shkruan sot gazeta Kosova Sot, e cila publikon edhe detaje nga Draft-Dokumenti për Dialogun e Strukturuar në Fushën e Sundimit të Ligjit në Bruksel.

Sipas këtij dokumenti, Misionit EULEX do t’i lihen fuqi ekzekutive vetëm në veri.

Në pjesën e parë të dokumentit, i bëhet një vlerësim gjithëpërfshirës aktivitetit njëvjeçar të të arriturave të Kosovës, në fushën e drejtësisë gjatë vitit 2013, dhe në pjesën e dytë paraqiten sfidat e Kosovës për vitin 2014, ku përfshihen kërkesat e ristrukturimit të EULEX’it dhe bartja e përgjegjësive tek institucionet kosovare.

“Institucionet e Kosovës e rikonfirmojnë gatishmërinë për të marrë përsipër kompetencat ekzekutive, të cilat momentalisht ushtrohen nga misioni i EULEX në përputhje me Strategjinë e mëhershme të propozuar nga Qeveria e Kosovës. Kontributi që BE’ja e ka dhënë përmes funksionit monitorues dhe këshillëdhënës të EULEX’it, ka ndikuar në ngritjen e kapaciteteve të insitucioneve lokale, të cilat tanimë janë të gatshme të ushtrojnë këto detyra të parapara me ligj”.

“Institucionet e Kosovës pajtohen që ndihma e BE-së në disa fusha, veçanërisht sa i përket veriut dhe në ngritjen e kapaciteteve, ende është e nevojshme dhe duhet të forcohet dhe koncentrohet në disa fusha specifike si luftimi i krimeve të rënda, korrupsionit e vepra të ngjashme”, thuhet në draft-dokument, transmeton Kosova Sot.

Kjo bartje e kompetencave parashihet të jetë e përshkallëzuar në kohë, por nuk përmenden afate të sakta kohore.

“Në kuadër të këtij procesi, institucionet vendore kanë bërë përgatitjet e duhura për të pranuar kompetencat e përmendura më lartë”, thuhet aty.