EULEX nuk i jep të gjitha kompetencat

EULEX i përgjigjet negativisht kërkesës së Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi për largim deri në qershor të vitit 2014. Bernd Borchard thotë se në disa fusha, sidomos në veri të Kosovës, EULEX duhet të ketë më shumë kompetenca se që ka tani.

Lajme

21/09/2013 11:26

EULEX do t’i dorëzojë disa kompetenca te institucionet e Kosovës, por jo të gjitha.

Kërkesa e Zëvendës Kryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi për largim të EULEX’it nga Kosova deri në qershor të vitit të ardhshëm ka marrë përgjigje negative nga Shefi i EULEX’it, Bernd Borchard.

Madje Borchard thotë se në disa fusha, sidomos në çështje të gjykatave dhe prokurorive në pjesën veriore të Kosovës, EULEX duhet të ketë më shumë kompetenca se që ka tani.

“Diskutimet tona me qeverinë e Kosovës sillen rreth çështjes së sovranitetit, rreth një sovraniteti të cilin nuk e njohin të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por që e njeh Kosova dhe vendi ynë (Gjermania). Por ende mungon Know How (njohuritë e duhura) në shumë fusha. Ekzistojnë fusha ku mund të punohet në funksionin këshillues si për shembull përpunimi kompjuterik i të dhënave e deri tek mënyra e luftimit të korrupsionit të madh dhe krimeve të luftës”, ka thënë Bernd Borchard në një intervistë për Deutche Welle.

“Ne jemi të bindur se në verën e ardhshme, në disa sektorë mund t’i kalojmë kompetencat tona tek autoritetet e Kosovës. Kjo nuk është fare e diskutueshme. Ne kemi filluar të tërhiqemi ngadalë nga disa funksione të ekzekutivit, ku do të mbetemi vetëm në funksione këshilluese.

“Në disa sektorë jemi të mendimit se duhet të vazhdojmë punën tonë, dhe duhet të kemi madje edhe më shumë kompetenca. Për shembull, në veri të Kosovës. Për kompetencat tona atje aktualisht po bisedohet në Bruksel, por është shumë e mundur që atje në të ardhmen të kemi edhe më shumë obligime në lëminë e gjykatave dhe prokurorive”.

Duke folur për gjykimin e “Grupit të Drenicës”, Borchard thotë se pret që procesi në shkallën e parë të mund të përfundojë deri në qershor të vitit të ardhshëm.

“Por shkalla e dytë thuajse nuk është e mundur. Po spekuloj, por mendoj se përfundimi i shkallës së dytë nuk është i mundur në këtë kohë. Do të thotë: shpresoj se deri në qershor të vitit të ardhshëm do të kemi vendimin e parë, por as këtë nuk mund ta premtoj”.