EULEX ndryshon nga 15 qershori

Sipas Hajredin Kuçit, Kuvendi i Kosovës duhet të vendos për mandatin e ardhshëm të EULEX’it, në bazë të letrës që Baronesha Ashton ia dërgon Presidentes Jahjaga. E tëra duhet të përfundojë deri më 14 qershor.

Lajme

21/01/2014 20:50

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se më 15 qershor, misioni aktual i BE’së për sundimin e ligjit, EULEX, do të duket ndryshe nga ai i sotmi.

I kthyer nga një vizitë disaditëshe në Bruksel ku ka diskutuar me zyrtarët e lartë të BE’së rreth fatit të këtij misioni, Kuçi ka thënë në një intervistë për Klan Kosova se i përket Kuvendit të Kosovës të vendos për të ardhmen e EULEX’it dhe se këtë vendim, legjislativi kosovar duhet ta marrë deri më 14 qershor.

“Deri më 15 qershor, Kuvendi i Kosovës duhet që ta ketë një vendim të marrë

“Do të jetë një mission i ri. Si do ta ketë emrin nuk ka rëndësi”.

“Unë pres që në mars të miratohet letra e Baroneshës Ashton për Presidenten e Kosovës.

“EULEX në Kosovë do të duket ndryshe pas qershorit të këtij viti, por ne do ta ndërtojmë partneritetin me BE’në”.

 

Duke mbrojtur qëndrimin e Prishtinës se gjykatësit dhe prokurorët vendor dhe ndërkombëtarë duhet të punojnë bashkë, nën autoritetin e vendorëve, Kuçi është shprehur se Prishtina është e përkushtuar që të mos e prekë autonominë e prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtarë, por as imunitetitn e tyre.

“Nuk do ta prekim autonominë e prokurorëve të EULEX’it, pavarësinë e tyre”.

“Tani duhet të fillojmë t’i ngrisim ëm shumë kapacitetet tona”.

“Javën e kaluar kam vizituar Pallatin e Drejtësisë dhe kam parë hapësirat. Kam kërkuar që në ato zyra të vendosen ekipe të përbashkëta”.

Duke folur për rregullimin e çështjeve të gjyqësorit në pjesën veriore të Kosovës, Ministri i Drejtësisë ka përjashtuar çdo mundësi që në Mitrovicë të Veriut të ketë gjykatë të ndarë.

“Do të jetë një gjykatë themelore në Mitrovicë që përfshin edhe Skënderajn edhe Vushtrrrinë”.

“Logjika e Serbisë ka qenë që të fitohen dy ndërtesa, nuk e kemi pranuar atë propozim. Nuk do të pranojmë staf të ndarë. Duhet ta japim përceptimin se kemi gjykatë të unifikuar”.

“Të gjithë gjykatësit në Kosovë duhet ta japin betimin para Presidentit të Kosovës”.

“Nuk po kërkojmë asgjë ekstra, por diçka që parashihet me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Hajredin Kuçi.