EULEX jashtë “rastit Vulin”

EULEX konfirmon se nuk është i përfshirë në rastin e hetimeve ndaj Aleksandar Vulin’it, ndërsa Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka kthyer lëndën në Prokurori për plotësim provash.

Lajme

25/10/2013 13:41

Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit (EULEX) nuk është i përfshirë në hetimet ndaj Ministrit pa portofol në Qeverinë e Serbisë, i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, të shpallur dje nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

“EULEX-i nuk është i përfshirë në hetimin e lajmëruar nga prokuroria vendore ndaj Aleksandar Vulin”, ka thënë zëdhënësi i EULEX’it, Blerim Krasniqi për lajmi.net.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka bërë thirrje Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të lëshojë urdhër arresti ndaj ministrit serb i cili javën e kaluar ka hyrë në Kosovë në rrugë ilegale.

Kada Bunjaku, Kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, thotë për lajmi.net se kjo gjykatë ka marrë dje pasdite lëndën nga prokuroria dhe menjëherë i ka bërë kërkesë Prokurorisë për plotësim provash.

“Lënda ka ardhur dje (të enjten) dhe ne kemi bërë një kërkesë në prokurori për plotësim provash, pasi që Gjykata e ka vlerësuar se lënda ka qenë e paplotësuar”, ka thënë Bunjaku.

Sipas saj, Prokuroria ka afat që deri të hënën në orën 16 të bëjë plotësimin e provave dhe ta ridërgojë lëndën në gjykatë.