EULEX-i zhgënjeu në luftën kundër korrupsionit

Asnjë ditë burg për korrupsionin nëpërmjet të cilit i shkaktohej dëm shtetit diku 60 milionë euro, është drejtësia që ka ndarë javën e shkuar një kolegj gjyqësor i dominuar nga gjyqtarë të EULEX-it. Masë burgimi është shqiptuar, por me kusht.

Lajme

28/09/2014 11:43

Tetë ish-gjyqtarët dhe dy juristët e dënuar janë shpallur fajtorë në Gjykatën Themelore të Prizrenit, sepse gjatë viteve 2006-2007 kanë tjetërsuar pronat e ndërmarrjes shoqërore, duke bërë padi të rrejshme dhe duke i vërtetuar ato në gjykatë, shkruan Koha Ditore.

Midis tyre është edhe Nuhi Uka, ish-kryetar i Gjykatës Komunale të Prishtinës. Atij i është shqiptuar dënimi më i lartë – 2 vjet burgim me kusht, që nënkupton se shkon në vuajtje vetëm nëse e bën të njëjtën vepër në dy vjetët e ardhshëm (ndërkohë që ai tash e sa kohë është në pension) dhe nuk ka gjasa të përsëritë një vepër të tillë).

Nga kjo masë ndëshkimi kanë qeshur gati të gjithë të ulurit në bankën e të akuzuarve, që deri në atë kohë verdiktin e prisnin në tension.

Në raportet më kredibile ndërkombëtare shprehet shqetësimi për shkallën e lartë të korrupsionit në Kosovë. Këtë dukuri kishte në prioritet ta luftonte misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, që ka nisur misionin në fund të 2008-s. Dhe disa herë ishte dhënë premtimi për ndjekjen dhe vënien para drejtësisë të “peshqve të mëdhenj”. Të tillët nuk janë peshkuar deri tash.

(Koha Ditore)