EULEX i domosdoshëm deri në 2016
Florian Qehaja thotë se EULEX’i duhet të qëndrojë në Kosovë deri në vitin 2016. Sipas tij, ky Mision duhet të ketë kompetenca ekzekutive vetëm në fushën e gjyqësorit. Thotë se gjykatat vendore s’kanë kapacitet të merren me raste e korrupsionit dhe krimit.
Lajme
Njohësi i fushës së sigurisë në Kosovë, Florian Qehaja, thotë se deklaratat e zyrtarëve qeveritarë përmes të cilave po kërkohet nga EULEX’i të bartë tek institucionet vendore kompetenca ekzekutive që ushtron aktualisht, janë të paarsyeshme dhe s’përputhen me rrethanat aktuale.
Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, në një prononcim për lajmi.net, deklaron se institucionet vendore ende nuk janë të gatshme që të marrin kompetencat në fushën e gjyqësorit, prandaj, sipas tij, ka ende nevojë për praninë e Misionit Europian për Sundimin e Ligjit.
“Konsideroj se disa deklarata të Qeverisë që janë dhënë në drejtim të EULEX’it janë joracionale dhe nuk përputhen me rrethanat”.
“Institucionet vendore, tash për tash, nuk janë të gatshme që të marrin kompetenca të plota nga EULEX’i, sidomos në fushën e gjyqësorit”.
“Mandati i EULEX’it, i cili skadon në qershor të vitit të ardhshëm, duhet të vazhdohet së paku edhe për dy vjet tjera, deri kah mesi i vitit 2016”.
“Kjo i jep një kohë relativisht solide institucioneve tona për t’i marrë gradualisht kompetencat nga ky Mision. Në të njëjtën kohë, konsideroj se EULEX nuk ka nevojë që të ketë një prezencë të tillë në aspektin e Policisë dhe Doganave”.
“Gjyqësori është ai i cili ka nevojë ende për prani të EULEX’it. Pavarësisht dobësive që ka EULEX’i”.
Javë më parë Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi tek VOA se ka ardhur momenti që të barten kompetencat nga EULEX tek Institucionet e Republikës së Kosovës.
Por, Qehaja ka shtuar se Misioni EULEX duhet të qëndrojë edhe për një mandat në Kosovë.
“Deri më 2016 EULEX definitivisht duhet të qëndrojë në Kosovë, kurse pas saj aspekti i mbikëqyrjes së institucioneve vendore duhet të bëhet nëpërmjet mekanizimit të quajtur Komisioni Europian, cili ekziston në çdo shtet të Ballkanit Perëndimor, domethënë çdo tendencë, çdo devijim që e bëjnë institucionet vendore do të mbikëqyrej në njëfarë forme në kontekst të integrimeve europiane”.
Qehaja ka thënë se gjykatat vendore ende nuk kanë kapacitet që të merren me rastet siç janë krimet e rënda, korrupsioni dhe krimet e luftës.
“Tash për tash, nuk ka. Pasi që nuk ka, duhet tashmë të ketë një plan të tranzicionit dhe të dihet qartë se pas dy vjetësh apo dy vjet e gjysmë, gjykatat e Kosovës duhet të kenë gjyqtarë kredibilë dhe prokurorë kredibilë, të cilët do të mund të merreshin me këto aspekte të krimeve të rënda dhe korrupsionit”.
“Ky do të jetë një problem që do të na përcjellë edhe në të ardhmen dhe i përcjell të gjitha vendet e rajonit. Mirëpo, në anën tjetër, nuk mund gjithmonë të kemi praninë ndërkombëtare që të na rregullojë punët strategjikisht, sepse kjo po na dëmton neve edhe në procesin e konsolidimit si shtet”.
“Po e ritheksoj, edhe në dy vjetët e ardhshme EULEX duhet të ketë mandat ekzekutiv në çështjet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimet e luftës, e aq më parë që i duhet edhe kohë edhe për dy vjet e gjysmë që t’i mbyllë disa raste që tashmë i ka iniciuar”.
Misioni për Sundimin e Ligjit ka zbarkuar në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë me synimin për t’ ndihmuar Kosovës në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.