EULEX do t’i largojë 250 kosovarë nga puna

Misioni i EULEX-it në Kosovë pritet të largojë nga puna 250 punonjës vendor. Ky shkurtim i stafit vjen si rrjedhojë e ndryshimit të mandatit të këtij misioni. 

Lajme

13/09/2014 13:58

Ndryshimi i mandatit të Misionit i europian për sundim të ligjit në Kosovë- EULEX që ka ndodhur në qershor të këtij vitit, duket se do të ndikojë edhe në humbjen e vendit të punës për shumë punonjës vendor.

EULEX ka kohë që ka marr vendim që të shkurtojë numrin e stafit lokal dhe atij ndërkombëtar. Ky vendimi i bërë pak muaj më parë, parasheh edhe shkëputjen e 250 kontratave për stafin lokal apo vendor, thotë një burim i lajmi.net brenda misionit.

Për këtë arsye, ky mision kishte nisur rivlerësimin e të gjithë stafit lokal, ku përmes testeve është parë përgatitja e tyre profesionale, si arsye për të vazhduar apo jo marrëdhëniet e punës me EULEX-in.

Sipas këtij burimi, vlerësimi i stafit lokal është bërë nga ekspertë të jashtëm, nga selia e Bashkimit Europian në Bruksel, dhe si rrjedhojë, nuk është lënë mundësi ndikimi nga menaxherët vendor.

Aktualisht numri i të punësuarve vendor është 1100, ndërsa pas rreth një muaji, numri i tyre do të zbresë në 850. (lajmi.net)