Eskorta e Ilir Metës mbyti një 19 vjeçar, fshehet rasti

Partia Demokratike ka akuzuar eskortën e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, se ka aksidentuar për vdekjen një 19-vjeçari. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi denoncoi ngjarjen dhe e cilësoi këtë si sjellje kriminale, duke fshehur  lajmin.

Lajme

08/07/2014 15:25

“Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dy net më parë rreth orës 22.00 në fshatin Bilal të bashkisë Manëz, kur eskorta e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ka përplasur për vdekje Marsel Lohjan, 19 vjeç, të cilit iu dha dje pasdite lamtumira e fundit. Ky aksident vdekjeprurës, u kthye menjëherë në një ngjarje të rëndë kriminale, pasi për 48 orë, Ilir Meta arriti ta fshehë ngjarjen, duke u përpjekur të mbyllë punët me policinë, prokurorinë dhe familjen e viktimës”, tha Vorpsi. 

Ajo shtoi më tej se asnjë media nuk raportoi lajmin dhe askush nuk foli rreth kësaj ngjarjeje. “Përpjekja për të varrosur faktet, të vërtetën, është akt mafioz, është një sjellje prej Pinoçeti, ku jeta e një njeriu nuk ka vlerë, ku me para dhe me forcën e pushtetit, mund të blesh gjithçka.  Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të bëjë menjëherë transparencë për aksidentin e dy netëve më parë të eskortës së kryetarit të Kuvendit dhe të informojë publikun për këtë ngjarje”, u shpreh ajo. 

“Ne i kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm që të hetojë rrethanat e ngjarjes, dhe të bëjë sa më shpejt drejtësi. Ne i kërkojmë medias të hedhë dritë mbi faktet dhe mbi arsyet pse ky aksident që mori jetën e një 19-vjeçari nuk është raportuar. Partia Demokratike i kërkon Ilir Metës të kërkojë ndjesë publikisht për këtë sjellje të turpshme dhe revoltuese, me të cilin ai ka fyer secilin nga ne duke u përpjekur të fshehë e të varrosë vdekjen e një 19-vjeçari. Jeta e Marselit, jeta e çdo qytetari shqiptar, është njësoj e rëndësishme sa jeta e çdo zyrtari në këtë vend, qoftë ai edhe kryetari i Kuvendit”. (shekulli)