Escobar dhe Abazoviq takohen në Washington, flasin për Ballkanin Perëndimor

Në ndërtesën e Departamentit të Shtetit në Washington, i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, folën për situatën e përgjithshme politike dhe qëndrimin e administratës së re amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor.

Bota

20/10/2021 08:20

Qeveria malazeze njoftoi se i dërguari amerikan në Ballkan tha se Shtetet e Bashkuara dhe Mali i Zi nuk ishin vetëm miq, por edhe aleatë, dhe Abazoviq theksoi se Podgorica mbeti e fortë në kursin euroatlantik dhe avokoi që Ballkani Perëndimor të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian.

Abazoviq theksoi se Ballkanit Perëndimor i mungon freskia dhe se rajoni ka nevojë për udhëheqës të rinj të cilët do të ndryshojnë fokusin nga temat kombëtare dhe fetare në ekonomi dhe tema që janë me rëndësi jetike për popullatën, transmeton Klankosova.tv.

Në  këtë drejtim, Abazoviq potencoi se Mali i Zi dëshiron marrëdhëniet më të mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor dhe një ndryshim në imazhin e rajonit në arenën ndërkombëtare.

Ai gjithashtu raportoi për rezultatet që Mali i Zi ka arritur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, veçanërisht në shtypjen e kontrabandës së drogës dhe cigareve, duke deklaruar se qeveria e re ka hasur në shumë probleme që janë produkt i një qeverie të korruptuar tridhjetëvjeçare, përcjell Tanjug.

Zëvendëskryeministri malazez dhe ministri i jashtëm Gjorgje Raduloviq është për një vizitë pune në Washington, ku do të zhvillojë bisedime me disa zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane, tha shërbimi i marrëdhënieve me publikun i qeverisë malazeze.