Ermira Mehmeti paralajmëron largimin nga BDI-ja

Ermira Mehmeti, të mërkurën ka paralajmëruar largimin e saj nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Lajme

14/10/2015 17:05

Ajo vlerëson se në BDI situata ka dalë nga kontrolli dhe thotë se partia më e madhe shqiptare në Maqedoni, ka nevojë për reforma të thella.

“Unë për vendimin tim e kam informuar kryetarin e partisë. Ai e di se situata në parti seriozisht ka eskaluar. Mendoj se shansi për reforma tashmë ka filluar të harxhohet. Ose reforma të menjëhershme, ose alternativa të tjera. Nuk e përjashtoj faktin që unë personalisht të largohem nga BDI”, thotë ajo.

Mehmeti, thotë se qëndrimet e saj nuk përputhen në shumë aspekte me politikat e qeverisë së Nikolla Gruevskit, ku bën pjesë edhe partia shqiptare BDI.

“Unë besoj se vendimi, vlerësimi dhe qëndrimet e mia janë të qarta një kohë të gjatë. Ato janë diametralisht të kundërta me disa qëndrimet zyrtare që i ka mbrojtur BDI si parti në qeveri, pra janë qëndrime të një qeverie me të cilën unë kam probleme konceptuale lidhur me kuptimin e demokracisë, kuptimin e saj, realizimin e të drejtave të shqiptarëve, statusin politik të shqiptarëve. Për këto arsye une mendoj se dallimet tona janë shumë më të mëdha se pikat e përbashkëta”, shton deputetja e BDI-së.

Për shkak të pakënaqësisë nga politikat e BDI-së , ditë më parë këtë parti zyrtarisht e ka braktisur deputeti Zylfi Adili dhe njëri nga themeluesit e saj, Gëzim Ostreni, të cilët promovuan nismën për themelimin e partisë së re, “Uniteti”. (AlsatM).