Erdogan zemërohet, Biden i kërkon falje

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden i ka kërkuar falje presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan lidhur me komentet e tij që sugjeronin se Ankaraja dhe fuqitë e tjera rajonale i kishin financuar organizatat e armatosura xhihadiste në Siri.

Bota

05/10/2014 11:55

Gjatë një fjalimi në Universitetin Harvard, ditën e enjte, Joe Biden e ka kritikuar Turqinë, që është aleat në NATO, si dhe botën arabe për mbështetje të grupeve sunite militante në Siri, siç është grupi Shteti Islamik (IS), dhe Al-Nusra, që është e ndërlidhur me al-Kaidën.

Si njofton REL, ndaj këtyre komenteve Erdogan ka reaguar me zemërim.

“Nëse zoti Biden ka përdorë një terminologji të tillë, atëherë kjo do ta bëjë atë njeri të së kaluarës për mua”, tha Erdogan gjatë njjë konference për shtyp në Stamboll, duke shtuar se “askush nuk mund ta akuzojë Turqinë se ka mbështetur ndonjë organizatë terroriste në Siri, përfshirë IS-in”.

Në një kumtesë nga Zyra e Bidenit në Washington, thuhet se ai e ka ftuar Erdoganin për “t’i qartësuar” komentet e tij.

“Zëvendëspresidenti ka kërkuar falje për çfarëdo implikimi që Turqia dhe aleatët e tjerë dhe partnerët në rajon, në mënyrë të qëllimshme e kanë furnizuar ose lehtësuar rritjen e IS-it ose të ekstremistëve të tjerë të dhunshëm në Siri”, thuhet në kumtesën e mbrëmshme nga Washingtoni.