Erdogan si në shtëpi

Recep Tayyip Erdogan thotë se sa herë vjen në Kosovë, ndjehet si në shtëpi të vet. Sipas tij, Aeroporti do të jetë më moderni në Ballkan. Edi Rama e quan ditën e sotme krenari për Kosovën, ndërsa Kryeministri Thaçi thotë se Kosova është gati për botën.

Lajme

23/10/2013 11:35

Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se në Kosovë ndjehet si në shtëpi të vet, duke konstatuar tutje se populli i Kosovës është vëlla i kombit turk.

Kryeministri i Turqisë i ka bërë këto komente, në fjalën e tij në inaugurimin e Terminalit në Aeroportin “Adem Jashari”, sot në Prishtinë, duke thënë se ky do të jetë Aeroporti më i mirë në Ballkan.

“Besoj se së bashku e arritëm këtë. Dhe, për këtë e përgëzoj Kryeministrin Thaçi, Kompaninë Limak, si dhe të gjitha firmat tjera, të cilat kanë dhënë kontribut për ndërtimin e këtij Aeroporti të mrekullueshëm”.

“Ky Aeroport do të sjellë zhvillim ekonomik, sepse numri i vizitorëve është tregues pozitiv për botën biznesore”.

“Për këtë arsye, këtij Aeroporti i është vënë emri i Heroit Kombëtar të Kosovës, i cili ka sakrifikuar të gjithë anëtarët e familjes së tij për lirinë e Kosovës”.

“Sinqerisht, po ju them se sa herë e vizitojmë Kosovën, e ndiejmë veten si në shtëpi”.

Recep Tayyip Erdogan, po ashtu, ka premtuar se Turqia do të vazhdojë përkrahjen e saj për Kosovën.

Ai ka thënë se të dyja shtetet kanë një histori të përbashkët.

“Turqia ka njohur nder të parat pavarësinë e Kosovës ka dhënë dhe do të japë kontribut në zhvillimin e saj, sepse Kosova është një vend mik, vëlla, me një kulturë dhe histori të përbashkët”.

“Populli i Kosovës është vëlla i kombit turk”.

“Në Kosovë jetojnë edhe komuniteti turk, gjithashtu edhe në Turqi kemi një numër të madh të komunitetit shqiptar, gjë që ndihmon edhe në bashkëpunimin e të dyja vendeve tona”.

“Lidhjet miqësore, vëllazërore, në mes të dy vendeve tona dhe me angazhimin e dyanshëm, shpresojmë se do t’ju sigurojmë edhe gjeneratave të ardhshme një të ardhme më të mirë”.

“Shpresoj që kjo ndërtesë të jetë në shfrytëzim të gjithë kosovarëve”

“Ne si Turqi, gjithmonë do ta mbështesim Kosovën dhe në të ardhmen të gjitha fushat”, ka deklaruar Erdogan.

Kryeministri i Turqisë ka shprehur besimin e tij për një bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat me Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Edi Rama.

Ndërkohë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shënuar si vizitori i parë i Terminalit të ri në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ai ka thënë se krenohet me mikun e tij Kryeministrin Hashim Thaçi, të cilin e ka falënderuar për nderin që, sipas tij, i ka bërë me ftesën për pjesëmarrje në këtë ceremoni.

Ai i ka quajtur “miq e vëllezër” dy Kryeministrat, Hashim Thaçin e Recep Tayyip Erdoganin.

“Nuk mund të kishte një emër më të goditur për Aeroportin e pas çlirimit të Kosovës sesa emri i njeriut që i dha krah me jetën dhe vdekjen e tij ëndrrës së Kosovës së lirë, të pavarur dhe shtet europian, në mes të Europës, ka thënë Rama.

“Adem Jashari është emri i krenarisë së këtij vendi dhe nga sot Kosova e re do të presë me krenari legjitime në këtë portë, të qiellit të saj të lirë, miqtë e vet që po shtohen dita-ditës”.

“Urime të gjithëve për këtë vepër të shkëlqyer që afirmon ambicien e Kosovës, e këtij shteti që është vetëm 4 vjeç, por që ka rendur dhe ka kapur shumë nga koha e humbur, duke u bërë një shembull admirues për të gjithë rajonin”.

“Nuk mund të kishte një ditë më të bukur se kjo e sotmja, plot krenari e plot diell për Kosovën, për të mirëpritur një mik të çmuar dhe të përkushtuar të të gjithë shqiptarëve, siç është Kryeministri Erdogan”.

“Kryeministri Erdogan është miku e vëllai ynë, i pandarë në festa por edhe në vështirësi, në ditë me diell arritjesh të bukura, si kjo e sotmja, po edhe në kohë të vrenjtur ku miqtë e vërtetë dallohen”.

“Nuk do ta harrojmë përkushtimin dhe mbështetjen e tij të paçmuar për pavarësinë e Kosovës”.

Kryeministri Hashim Thaçi ditën e sotme e ka quajtur historike për Kosovën, ndërsa Kryeministrat Erdogan e Rama i ka quajtur “vëllezër”.

“Sot, edhe si qytetar por edhe si Kryeministër i vendit jam shumë i emocionuar”.

“Kosova është gati për botën, por edhe bota ka hapur dyert për Republikën e Kosovës, në mënyrë meritore”.

“Aeroporti edhe sot ka numrin më të madh të pasagjerëve në rajon. Është detyra ime dhe e kolegëve të mi që t’ua bëjmë të mundur qytetarëve tanë të udhëtojnë shpejt e pa viza përmes Aeroporti ‘Adem Jashari”.

Thaçi ka përmendur se si Aeroporti i Prishtinës ka qenë i mbyllur për të para luftës. Ai ka rikujtuar fluturimin e parë që ka bërë me Aeroplan nga Aeroporti i Rinasit në Tiranë, të cilin tha se nuk do ta harrojë kurrë.

“Për mua dhe për gjeneratën time, ky Aeroport ka qenë i mbyllur. Unë vij nga një rajon që historikisht ishte i shtypur dhe i diskriminuar. Si fëmijë, mbaj mend se si me shokët shpesh shikonin qiellin dhe fluturimin me aeroplan. Pra, fluturimi me aeroplan, për ne ka qenë si diçka e ndaluar, ka qenë si një ëndërr e paarritshme”.

“Për herë të parë fluturova me aeroplan për në Zvicër. Fluturimi i parë në jetën time ishte  nga Aeroporti i Rinasit dhe ndihem krenar për këtë gjë”.

“I nderuar vëlla Taip, i nderuar vëlla Edi, lufta e popullit tim për liri hapi dyert e këtij aeroporti për mua. Për herë të parë nga ky aeroport, që ishte një barakë, kam udhëtuar me një aeroplan ushtarak francez, bashkë me Delegacionin e Kosovës për në Rambouillet, në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën. Është një udhëtim që nuk do ta harroj kurrë në jetën time”.

Kryeministri Thaçi, po ashtu, ka deklaruar se ndërtimi i Aeroportit “Adem Jashari” tregon se Kosova edhe pse vetëm 6 vjet shtet me 104 njohje ndërkombëtare, është një vend i ri dhe një shtet i mundësive të mëdha, i mundësive të reja, i mundësive europiane.