Erdogan përballë “zgjedhjeve më të vështira”
Udhëheqësi turk me stazhin më të gjatë, Recep Tayyip Erdogan, i cili zotëron pushtet gati absolut, do të kërkojë një mandat tjetër në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 14 majit. Do të jetë një sprovë e madhe për Erdoganin, i cili ka udhëhequr Turqinë për 20 vjet. Fillimisht, do të përballet me sfidën më të…
Lajme
Udhëheqësi turk me stazhin më të gjatë, Recep Tayyip Erdogan, i cili zotëron pushtet gati absolut, do të kërkojë një mandat tjetër në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 14 majit.
Do të jetë një sprovë e madhe për Erdoganin, i cili ka udhëhequr Turqinë për 20 vjet.
Fillimisht, do të përballet me sfidën më të ashpër nga gjashtë parti opozitare që i kanë bashkuar forcat, pastaj me zemërimin e publikut për koston e lartë të jetesës dhe pasojat katastrofike që kanë shkaktuar dy tërmete në muajin shkurt.
“Presim që ky regjim të largohet dhe ne do të luftojmë që kjo të ndodhë. Kemi shpresa të mëdha në zgjedhje. Shpresojmë në një proces, në të cilin të gjithë njerëzit mund të ekzistojnë me ngjyrat e tyre. Do të luftojmë që edhe kjo të ndodhë. Ky regjim diktature nuk ka alternativë tjetër, pos të largohet”, thotë për agjencinë e lajmeve Reuters Zeynep Diyar, banore e qytetit Diarbakir në Turqi.
Erdogan, 69 vjeç, ka udhëhequr Turqinë nga viti 2003, fillimisht si kryeministër, ndërsa nga viti 2014 si president.
Pasi i ka mbijetuar një përpjekjeje për grushtshtet në vitin 2016, ai i ka rritur në mënyrë dramatike kompetencat e tij, raporton REL.
Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim është në pushtet nga nëntori i vitit 2002. Ajo i ka rrënjët në Islamin politik, por ka krijuar aleancë edhe me Partinë Lëvizja Nacionaliste, e ekstremit të djathtë.
Një numër në rritje turqish, sipas sondazheve, e fajëson Erdoganin për rritjen e inflacionit, për shkak të refuzimit të tij për të rritur normat e interesit.
Norma zyrtare e inflacionit në Turqi është mbi 50 për qind, por ekonomistët e pavarur thonë se ajo është edhe më e lartë se 100 për qind.
Për pasojë, shtrenjtimi i ushqimit, energjisë, barnave dhe gjërave të tjera thelbësore ka ulur standardin e jetesës për shumicën e 85 milionë banorëve të Turqisë, në vitet e fundit.
Erdogan dhe partia e tij përballen me kritika edhe për mosrritjen e standardeve të ndërtimit përpara tërmeteve shkatërruese të 6 shkurtit, si dhe për keqmenaxhimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit pas katastrofës.
Mbi 50.000 njerëz kanë vdekur në 11 provincat e prekura nga tërmetet, ndërsa miliona të tjerë kanë mbetur pa shtëpi.
Sfidues kryesor i Erdoganit në zgjedhje do të jetë Kemal Kilicdaroglu, 74 vjeç.
Kilicdaroglu do të luftojë si kandidat i unitetit për gjashtë parti opozitare, të cilat përfshijnë parti të qendrës së majtë, nacionaliste, por edhe ish-aleatë të Erdoganit.