Erdogan ndërroi 10 ministra
Tre ministra dhanë dorëheqje, shtatë të tjerë i ndërroi vetë. Recep Tayyip Erdogan riformatizoi qeverinë turke në kohën kur gjendet nën sulmet e opinionit për shkak të akuzave për korrupsion.

Kryeministri i sulmuar i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan konfirmoi mbrëmë vonë se ka ndërruar 10 ministra të kabinetit të tij në kohën kur qeveria e drejtuar prej tij po përballet me një skandal korrupsioni të nivelit të lartë.
Tre ministra paraprakisht ishin dorëhequr brenda një dite të vetme, ndërsa njëri nga ta i kishte kërkuar dorëheqjen edhe vetë shefit të qeverisë.
“Disa nga bashkëpunëtorët e mi të ngushtë janë dorëhequr pas ngjarjeve të fundit. Disa nga ta i kanë lënë postet për shkak të kandidimit në zgjedhjet lokale. E për tjerët, unë kam vendosur t’i largoj”, ka thënë Erdogan në një adresim televiziv.
Herët të mërkurën dhanë dorëheqje ministrat e Ekonomisë dhe të Punëve të brendshme.
Më pas edhe Ministri i Mjedisit dha dorëheqje.
Secili nga këta ministra kishin nga një djalë të arrestuar me akuza për korrupsion.
Zemërimi ka kaluar edhe në rrugët e Stambollit pasi policia doli publikisht rreth akuzave për marrje ryshfeti, akuza që përfshinë edhe bankën e kontrolluar nga shteti Halkbank.
Dy nga bijtë e ministrave mbesin në paraburgim bashkë me 20 persona tjerë, përfshirë edhe drejtorin e bankës.
Tre ministrat mohuan që bijtë e tyre ose qeveria të kenë bërë diçka të keqe.
Javën e kaluar, Erdogan raportohet se largoi nga puna qindra policë që po hetonin këto dyshime.
Protestuesit kanë bërë thirrje që të premten të mbahet një protestë masive njëditëshe kundër akuzave për korrupsion.