Erdogan bën thirrje për ndërhyrje tokësore në Kobane

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka bërë thirrje për ndërhyrje me trupa tokësore në qytetin kufitar sirian Kobane, me qëllim që tu ndihmohet luftëtarëve kurdë të fitojnë betejën kundër militantëve të “Shtetit Islamik të Irakut dhe Levanit” (ISIL).

Bota

07/10/2014 17:08

Erdogan, gjatë një fjalimi të mbajtur në qytetin lindor Gaziantep, ka thënë se sulmet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të mjaftojnë për të fituar mbi terrorin.

“Muajt kanë kaluar që kur kanë filluar sulmet ajrore ndaj ‘Shtetit Islamik’, mirëpo rezultate nuk kemi. Kobane është gati të bjerë në duart e ISIL-it. Duhet të organizojmë së bashku një operacion tokësor”, ka thënë Erdogan.

Turqia është kritikuar nga kurdët sirianë dhe ata turq për mosreagim ndaj zhvillimeve në qytetin Kobane, nga ku gjatë dy javëve të fundit janë futur në Turqi më shumë se 160 mijë refugjatë, ndërkohë që mijëra të tjerë rrezikojnë të masakrohen nga militantët sunitë të “Shtetit Islamik”.