Epërsia e Real Madridit
Real Madrid fitoi ndaj Bayern Munichut me rezultat 1:0 në ndeshjen e tyre të parë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve. Sulmuesi Karim Benzema shënoi golin që e krijon avantazhin e Los Blancos.
Sport
Real Madrid mposhti Bayern Munichun me rezultat 1:0 në ndeshjen e tyre të parë në Santiago Bernabeu, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Edhe pse mysafirët dominuan me posedimin e topit, Los Blancos u shfaqën jashtëzakonisht të rrezikshëm në kundërsulme. Dhe, pikërisht kështu Reali kaloi në epërsi në minutën e 19-të me golin e sulmuesit Karim Benzema.
Vetëm shtatë minuta më vonë vendasit kanë mundur të dyfishojnë avantazhin por Cristiano Ronaldo goditi mbi portë pas një topi të saktë nga Fabio Coentrao.
Kurse, në minutën e 41-të, Angel di Maria goditi lart mbi portë pasi u gjend i vetëm në krahun e majtë të portës së portierit Manuel Neuer. Pas intervalit, sërish ishte pasqyrë e njëjtë në fushë me Bayernin që udhëheqte lojën me pasime të shpeshta dhe Realin që priste rastin të kërcënonte me kundërsulme.
Në minutën e 67-të Ronaldo kërcënoi Neuerin me një goditje zhagas por portieri i Bayernit e dëboi topin.
Reali e ruajti avantazhin, kurse Bayern e pati rastin më të mirë të ndeshjes në minutën e 84-të kur rezervisti Mario Gotze goditi nga afërsia por topin e dëboi Casillas.
Reali e ka epërsinë, por Bayerni do të tentojë përmbysjen në ndeshjen e kthimit në Allianz Arena të martën.