Enver Peci thotë se Këshilli Gjyqësor po shantazhohet
I pari i gjyqësorit në Kosovë, Enver Peci e ka quajtur një vepër shantazhi kërkesën e Gjykatës Supreme që Gjykata Kushtetuese ta sqarojë mandatin e tij dhe atë të Valdete Dakës.
Lajme
Në një intervistë ekskluzive për KALLXO.com, Peci ka sqaruar se kishte biseduar me kryetarin Fejzullah Hasani dhe të njëjtit i kishte sqaruar se mandati i tyre vazhdon në kuadër të vendimeve të KGjK-së dhe normave ligjore.
Mirëpo Peci është shprehur i habitur me vendimin e marrë sot në kolegjiumin e gjykatës, ku është vendosur që mandati i tij dhe Valdete Dakës të dërgohen në Kushtetuese .
“Një farë forme unë po e shoh një formë presioni, një formë shantazhi. Dikujt nuk po i konvenon që ne të jemi anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, ka thënë Peci.
Ai tutje ka shtuar se veprimet e Gjykatës Supreme po i duken të koordinuara, duke mos përjashtuar mundësinë që të njëjtat të jenë bërë për shkak të interesave klanore.
“Mua po më duket që janë të koordinuara disa situata. Nuk po e di nga po vijnë këto veprime. Nuk dua të paragjykoj, mirëpo po më duket që dikush ka interesa klanore dhe personale për t’i realizuar disa interesa të veta”, ka thënë Peci.
Iniciativa për ta dërguar mandatin e Pecit në Kushtetuese është ngritur sot gjatë mbledhjes së kolegjiumit të Gjykatës Supreme të Kosovës nga kryetari i kësaj gjykate Fejzullah Hasani.
KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me kryetarin Hasani mirëpo kjo ka qenë e pamundur.