ENEMO dërgon ekspertë ndërkombëtar për të vëzhguar zgjedhjet në Kosovë

7:37 | 23 Shtator 2021

Rrjeti Evropian i Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve (ENEMO) ka dërguar pesë ekspertë ndërkombëtar për të vëzhguar zgjedhjet lokale të 17 tetorit pas akreditimit zyrtar nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës(KQZ).

ENEMO ka bërë të ditur se ekipi kryesor tashmë gjendet në Prishtinë dhe do të vëzhgoj raundin e parë të zgjedhjeve dhe raundin e dytë në komunat ku mund të ndodh që të ketë raund të dytë.

Poashtu IEOM i ENEMOs planifikon që në ditën e zgjedhjeve të monitoroj procedurat e votimit dhe të numërimit në një numër të limituar të vendvotimeve.

Në këtë mënyrë IEOM i ENEMOs synon që ta rris integritetin dhe transparencën e procesit zgjedhor.

“Me vëzhgimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë të vitit 2021, IEOM i ENEMOs synon të rris integritetin dhe transparencën e procesit zgjedhor dhe të kontribuojnë në përmirësimin e besimit të publikut në rezultatet zgjedhore. Misioni do të vëzhgoj mjedisin politik dhe atë të fushatave, aktivitetet e organeve drejtuese të zgjedhjeve, fondet e fushatave, regjistrimin e kandidatëve dhe votuesve, reportazhet e zgjedhjeve të mediave, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe të gjitha aspektet e tjera kyçe të zgjedhjeve. IEOM i ENEMOs do të vlerësojë përputhshmërinë e të gjithë procesit zgjedhor me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin përkatës vendor”, thuhet në komunikatën e ENEMOs.

Për të pasur informacionet e vërteta misioni i ENEMOs do të mbajë mbledhje me të gjithë akterët kyç vendor apo institucional.

“Gjatë procesit të vëzhgimit, në mënyrë që të marrim informacione të qarta dhe të vërteta, misioni i ENEMOs do të mbaj mbledhje me të gjithë aktoret kyç vendor apo internacional. Këtu përfshihen kandidatët dhe partitë politike, organizatat e shoqërisë civile, organet drejtuese të zgjedhjeve, përfaqësuesit e autoriteteve shtetërore, ambasadat, organizatat internacionale, mediat, etj. Bazuar në vëzhgimin e përfunduar dhe mbledhjeve të mbajtura, misioni do të publikoj një Deklaratë të Gjetjeve dhe Konkluzioneve Preliminare një ditë pas çdo raundi zgjedhor. Një Raport Final, i kompletuar me vlerësimin final dhe me rekomandime potenciale, do të publikohet përafërsisht dy muaj pas zgjedhjeve”, potencon ENEMO.

Ky është Misioni Vëzhgues Zgjedhor Internacional i katërt i ENEMOs në Kosovë, dhe misioni vëzhgues i 37 i ENEMOs në total që nga krijimi i këtij rrjeti në vitin 2001.

Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i ENEMOs në zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021 në Kosovë mbështetet financiarisht nga National Endowment for Democracy (NED).

ENEMO është një organizatë internacionale joqeveritare që përfaqëson një rrjet prej 21 organizatash civile joqeveritare kombëtare nga 17 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Azisë Qendrore, përfshirë dy vende të Bashkimit Evropian. ENEMO ka miratuar Deklaratën e Parimeve të 2005 për Vëzhgimin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve të vitit 2005 dhe Deklaratën e Parimeve Globale për Vëzhgimin dhe Monitorimin Jopartiak të Zgjedhjeve nga Organizatat Civile.