Ende pa autor dhe pa prova – afër 30 orë nga vrasja e trefishtë në Gllogjan që tronditi Kosovën

23:41 | 27 Nentor 2021

Mbrëmë, pak para orës 19:00, në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit një autobus i cili po barte tetë nxënës është sulmuar nga një person i cili ende gjendet në arrati me armë zjarri që dyshohet të jetë e tipit AK-47. Nga ky sulm, të vdekur mbetën 3 persona, shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Ngjarja makabre me 3 viktima në Gllogjan, tronditi Kosovën. Por pavarësisht se njësitet policore dolën me shpejtësi në vendin e ngjarjes, dorasi arriti të arratisej nga vendi i ngjarjes dhe vazhdon të jetë në arrati edhe në këto momente kur kanë kaluar gati 30 orë nga sulmi, shkruan lajmi.net.

Sot gjatë ditës, Prokuroria ka bërë të ditur se kanë intervistuar shumë persona lidhur me rastin e djeshëm në Gllogjan, ndërsa tha se sipas informatave të para, në rast është përdorur një kallashnikov nga i cili është zbrazur një karikator.

“U bëj thirrje qytetarëve që të na ndihmojnë me informacionet që kanë. Ky është një moment i rëndë qoftë familjet e viktimave qoftë për ata që kanë qenë në autobus dhe e kanë përjetu. Ne me shumë kujdes jemi duke intervistu çdo dëshmitar okular dhe jemi të ndarë në shumë grupe dhe secili prej tyre jemi duke i koordinu veprimet, kemi intervistu shumë persona. Deri tash me informatat që posedojmë është përdorur një kallashnikov dhe është zbrazur një karikator, hetuesit janë në terren duke e bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes”, tha Prokurorja Sahide Gashi.

Prokuroria jep detajet e fundit: Kemi kryer bastisje, në sulm është zbrazur një karikator

Sot gjatë ditës, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, të pajisur me armë të gjata kryen patrullime në fshatin Gllogjan të Deçanit, por nuk u raportua të kenë hasur në gjurmë ose prova që lidhen me dorasin dhe që mund të hapnin pista të hetimit.

Të pajisur me armë të gjata, Njësia Speciale nis patrullimin në Gllogjan

Autobusi i cili u sulmua me armë automatike, edhe pas një dite, është në vendin e ngjarjes. Ndërsa lidhur me rastin, sot kanë mbajtur konferencë për media edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti.

Për rastin e vrasjes së trefishtë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se kanë marrë informacione të ndryshme, shkruan lajmi.net.

“Mund të deklarojë se tashmë kemi informacione të ndryshme të ardhura në rrugë të ndryshme të cilat Policia e Kosovës nën direktivat e Prokurorisë është duke i trajtuar një për një. Janë duke u trajtuar disa pista të cilat të gjitha kapacitetet e Policisë janë duke i eliminuar apo duke i hetuar. Unë po ashtu nuk po them bëjë ftesë, unë bëjë ultimatum vrasësit që të dorëzohet për shkak se për çdo ditë ai rëndon të tjerët. E dimë shumë mirë se kushdo që ndihmon vrasësin implikohet në vepër të rëndë penale, nuk bëhet më fjalë për çfarëdo lloj solidariteti me vrasësin e dy nxënësve dhe shoferit të autobusit. Prandaj, sa më parë që dorëzohet aq më mirë edhe për rrethin e tij, por aq më mirë edhe për qytetarët e gjithë Kosovës”, tha ai.

Ministri Sveçla tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë dhe me AKI-në, në mënyrë që rasti të zbulohet sa më shpejtë.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se aktualisht janë duke bërë ekzaminimet, pastrimi i terrenit dhe shikimi i detajuar i rrethinës së ngjarjes.

Ai tha se sipas dyshimeve fillestare vepra është kryer nga një person, por që u shpreh se mund të ketë ndërlidhje me më shumë persona.

“Policia e Kosovës është duke bërë ekzaminimet, aktualisht jemi duke bërë pastrimin e terrenit, shqimin detajuar të rrethinës së ngjarjes, përfshirë këtu edhe rrethinat apo pjesët anësore të vendit të ngjarjes, përkatësisht pjesët ku potencialisht mund të ketë ndonjë provës shtesë. Fatkeqësisht kemi pas një mot shumë të keq gjatë gjithë kohës që na ka penguar në këtë shiqim, na ka penguar që disa mjetet teknike dhe mjete të tjera që ndihmojnë në gjetjen e gjurmëve të ndryshme. Është dashtë që pastrimi i terrenit të filloj me vonesë. Gjitha njësitet janë në vend të ngjarjes duke e pastruar terrenin, mirëpo aktualisht jemi duke u përballur me një numër të konsiderueshme të informacioneve rreth rastit, kemi sjellë njësi shtesë dhe ekspertë të ndryshme të niveleve të ndryshme operative dhe hetimore që t’i trajtojnë këto informacione dhe të bëjnë ekzaminimet më të shpejtë të evidencave dhe provave që i kemi gjetur në vend të ngjarjes apo që mund të gjenden gjatë pastrimit të vendit të ngjarjes”, tha Mehmeti.

Mehmeti tha se aktualisht po flasin për një person që mund të ketë kryer vrasjen, por që tha se mund të ketë ndërlidhje edhe të personave të tjerë.

Sa i përket motiveve, Mehmeti tha se është shumë herët që të flitet për një gjë të tillë.

“Aktualisht mund të flasim për një sistem të dy apo tri pistave të mundshme të hetimit, të gjitha informacionet që jemi duke i mbledhur dhe evidencat dhe provat materiale të çojnë në këtë drejtim. Aktualisht po bisedojmë për një person por me mundësi të ndërlidhjes edhe të personave të tjerë, që kuptohet se mund të ketë më shumë se një të dyshuar. Në kuptimin e qarkullimit të personit janë duke u ekzaminuar prova teknike të ndryshme që do të na tregojnë saktë nga ka ardhë, ku ka qëndruar potencialisht dhe ku ka shkuar… Thash që kemi informacione nga më të ndryshme dhe për shkak të gjendjes në të cilën ka ndodhur rasti ne jemi duke përpunuar çdo informacion me shumë kujdes sepse janë dy-tri pista të ndryshme që nënkupton që janë dy-tri motive të ndryshme të cilat duhet përpunohen gradualisht. Ne jemi duke i përpunuar informacione që jemi duke i marrë nga dëshmitarët, përkatësisht nga qytetarët, njerëzit që kanë lidhje rrethanore apo drejtpërdrejt me rastin. Mirëpo gjitha këto janë duke iu bashkangjitur edhe provat teknike. Është shumë herët që të themi se ky do të ishte motivi, por rrethanat, dëshmitë informacionet që janë duke ardhur kanë me na sjellë tek një motiv potencial i cili mund të jetë”, tha ai.

Ndërsa edhe tani, kur kanë kaluar afër 30 orë nga momenti i krimit, autori vazhdon të jetë në arrati – ndërsa prova lidhur me rastin nuk ka. Derisa, as pistat e hetimit të policisë së Kosovës nuk janë bërë saktësisht të ditura për opinonin. /Lajmi.net/