Ende nuk është caktuar takimi i radhës, BE-ja kërkon rikthimin e Kosovës dhe Serbisë në dialog

23:41 | 1 Dhjetor 2021

Ende nuk dihet se kur do të mbahet takimi i radhës për dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Takimi i fundit i përfaqësuesve të dy shteteve, u mbajt gjatë me 15 nëntor, por se takimet ishin mbajtur veç e veç dhe jo në një tavolinë të përbashkët, shkruan lajmi.net.

Kosovës dhe Serbisë në takimin e fundit i është kërkuar respektimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, por se ende nuk shihet ndonjë përparim në këtë proces.

Në anën tjetër, sot Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Josep Borrell, ka deklaruar se është e nevojshme që Prishtina e Beogradi të jenë pjesë e dialogut, sepse nuk ka rrugë tjetër për të stabilizuar situatën.

Sipas raportimeve të mediave serbe, këto deklarata Borrell i ka bërë sot gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Riga.

“Situata është qetësuar kohët e fundit, por ka nevojë për t’u kthyer në dialog dhe për të rinovuar dialogun, sepse nuk ka rrugë tjetër për të stabilizuar situatën”, deklaroi ai në ditën e dytë të takimit të përfaqësuesve të NATO-s në Riga.

Borrell ka theksuar se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon strategjik për Bashkimin Evropian, andaj siguria dhe stabiliteti në këtë rajon janë të rëndësishme për BE-në.

Edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot ka qëndruar në kryeqytetin norvegjez, Oslo, ku është takuar me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij vendi.

Ai ka thënë se është mirënjohës për mbështetjen që po merr nga Norvegjia, ndërsa ka thënë se kanë diskutuar edhe për Ballkanin Perëndimor.

“Është mirë që jam sot në Oslo! Në takimet me Sekretarin e Shtetit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe ekipin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për Ballkanin Perëndimor, kemi diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe dialogun. Unë jam mirënjohës për mbështetjen e fortë të Norvegjisë”, ka shkruar Lajcak sot në Tëitter.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në dialog ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion për takimin e radhës në kuadër të dialogut. /Lajmi.net/