Të Infektuar: 4931

Të Shëruar: 2267

Të Vdekur: 102

Ende nuk dihen dëmet ekonomike nga koronavirusi, në Malishevë thonë se situata është menaxhuar mirë

21:31 | 31 Maj 2020

Ende nuk dihet se sa persona kanë humbur vendet e tyre të punës dhe sa janë dëmet e shkaktuara nga pandemia në komunën e Malishevës. Derisa kjo komunë kishte ndarë 150 mijë euro për përballjen me pandeminë e Covid-19, në kohën kur u godit nga rastet e para me koronavirus.

Edhe pse është një ndër komunat më të prekura me koronavirus, në Malishevë thonë se situata është menaxhuar jashtëzakonisht mirë.

“Përballja ka qenë shumë e vështirë, për shkak të natyrës së sëmundjes dhe për faktin se për herë të parë jemi përballur me këtë lloj pandemie. Por, situata është menaxhuar jashtëzakonisht mire”, kanë thënë në komunën e Malishevës në një përgjigje më shkrim për lajmi.net.

“Kuvendi i Komunës së Malishevës, i ka ndarë 150 mijë euro, për përballje me pandeminë COVID-19.  Janë shfrytëzuar disa dikastere, por për të qenë më të qartë, janë marrë nga investimet kapitale të dikastereve të caktuara”, kanë thënë.

Po ashtu nga Malisheva thonë se përkundër rasteve të mëdha me koronavirus, deri me tani nuk është anuluar asnjë projekt .

Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net në këtë komunë thonë se tashmë është formuar një komisioni  posaçëm që është duke u marrë me ndikimin e pandemisë në ekonomi, derisa shtojnë se ende nuk dihet sa do të marrë kohë rimëkëmbja.

“Komuna e ka formuar komisionin e posaçëm që është duke u marrë me ndikimin në ekonomi. Ndërsa,  për rimëkëmbjen mund të flasim pas vlerësimit, për shkak se ende nuk e dimë saktë ndikimin”.

Aktualisht nuk dihet se sa persona kanë humbur vendet e tyre të punës në këtë komunë si pasojë e mbylljes së bizneseve.

Ata thonë se nuk kanë marrë mbështetje financiare nga Qeveria e Kosovës, por thonë se janë furnizuar me masa mbrojtëse për personelin shëndetësor, si dhe përfshirja në pakon emergjente për sektorët e caktuar të të punësuarve në institucione.

“Mbështetje financiare për pandemi nuk kemi pasur ende, përjashtuar furnizimet me masa mbrojtëse për personelin shëndetësor, si dhe përfshirja në pakon emergjente për sektorët e caktuar të të punësuarve në institucione”, kanë thënë në komunën e Malishevës . /Lajmi.net/