Emini tregon se çfarë ndikimi mund të ketë Lajçaku dhe kur pritet rikthimi i dialogut Kosovë-Serbi

Miroslva Lajçak është emëruar si Përfaqësues Special i BE-së n ë dialogun Kosovë-Serbi.

Lajme

07/04/2020 23:13

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë zgjedhur sllovakun, Miroslav Lajçak si përfaqësues special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos, ka thënë për lajmi.net, se me emërimin e Lajçakut në këtë pozitë, Kosova ka marrë goditjen e dytë pas emërimit të Borrellit.

Duke e pasur parasysh që Sllovakia nuk e njeh Kosovën si shtet, Emini ka thënë se Lajçak nuk mund të marrë vendime kokë më vete, por duhet të pyeten shtetet anëtare të BE-së.

“Në anën tjetër ai e njeh mirë rajonin, mendësinë e rajonit, mirëpo vjen nga një shtet i cili nuk është se e ka bllokuar Kosovën shumë, Sllovakia megjithatë e ka mbështetur Kosovën në raport me integrimin në BE mirëpo kanë qenë disa raste historike për Kosovën në të cilën Lajçak sa ka qenë ministër i Punëve të Jashtme ka hezito me na mbështet dhe kjo na bën neve të hezitojmë në profilin e tij. Në anën tjetër diçka që do të mund të jetë pozitive, është që ai megjithatë do të jetë pjesë e BE-së, ku janë 27 vende anëtare përfshirë edhe pesëshen që nuk e njohin, por edhe 22 që e njohin Kosovën. Andaj Lajçaku nuk është se mundet me marrë vendime kokë më vete siç ka ndodhur edhe me Mogherinin se pastaj ajo kur vendosi me marrë vendime pa u konsultuar me vendet anëtare e sidomos me Gjermaninë, veç u përjashtua nga detyra prej një procesi të cilin vet e fasivitonte. Kështu do të jetë interesant se si BE-ja do ta menaxhojë këtë krizë, megjithatë po e shoh që me vizitën e Borrellit, me emërimin e Lajçakut, me ndihëm që po i jep BE-ja Kosovës në raport me pandeminë COVID-19, por shihet që BE-ja po tenton me u rikthye në Kosovë e rajon. Edhe të shohim se çka po na vjen në tavolinë me këtë rikthim të cilin ata po e quajnë të fuqishëm”, u shpreh ajo për lajmi.net.

Duke e parë angazhimin e BE-së dhe insistimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që dialogu të fillojë sa më parë, Emini thotë se rikthimi në tryezën e bisedimeve në mes të Kosovës e Serbisë, vështirë se mund të ndodh para muajit shtator.

“Së pari nuk besoj dhe po shpresoj që nuk do të prioterizohet çështja e dialogut në raport me pandeminë COVID-19. Do me thënë dhe tregon se edhe po të ketë vullnet që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve ndoshta nuk kanë kapacitete sepse i kanë problemet e brendshme të tyre si për ata të BE-së vlen edhe për të gjithë unionin. Andaj nuk besoj që do të ndodhë së shpejti mirëpo, po ekziston një urgjencë e cila është shtyrë vazhdimisht nga BE-ja, por tash edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Besoj që më së largu vjeshta duhet të jetë koha kur ne duhet të kthehemi në tavolinë, por në cilën tavolinë  do të kthehemi është pikëpyetje e madhe, se a do të ndodhë diçka deri në vjeshtë. Kurse në BE shtatori do  të ishte gati edhe shumë vonë për t’u rikthyer në tavolinë. Por do të ishte një kohë që Kosova të reflektojë edhe të tregojë se çfarë dëshiron”, theksoi Emini.

Theksojmë se Kosova dhe Serbia që nga nëntori i vitit 2018 kanë ndërprerë bisedimet për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake nga qeveria e atëhershme e Kosovës. /Lajmi.net/